Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk fitoi me KO teknik në raundin e 11-të duelin ndaj holandezit Rico Verhoeven, një përballje mjaft emocionuese zhvilluar në Egjipt. Në piramidat e Gizës, kampioni ukrainas korri suksesin e 25-të si boksier, ende i pamposhtur.

Verhoeven iu afrua shumë fitores, duke befasuar të gjithë në ring, me një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj një ikone të ringut si Usyk. Por, në raundin e 11-të ai për herë të parë ra në tapet e disa sekonda më vonë gjyqtari e ndali duelin mes tyre.

Një vendim që në fakt befasoi të gjithë, pasi ishte sekonda e fundit e raundit dhe dueli mund të kishte patur edhe një raund të fundit e ku gjithcka mund të ndodhte. Për më tepër që Verhoeven, ikona e kickboksit dhe në duelin e tij të dytë në ring, dukej në avantazh me raunde ndaj Usyk.

Gjithsesi, ukrainasit i mjaftoi një moment për të treguar se është një kampion edhe pse në këtë duel nuk bindi. Të dy boksierët, shtatlartë dhe agresivë, dhuruan spektakël në ring dhe dukej qartë se holandezi nuk e mirëpriti vendimin e gjyqtarit për ta ndalur sfidën.

Nëse sfida do të kishte patur edhe një raund të 12-të padyshim që Verhoeven do ta kishte fituar duelin, pasi grushtoi më mirë. Ajo që ra në sy ishte një hutim në ring i Usyk shumicën e kohës, larg paraqitjeve të tij më të mira dhe rrezikoi shumë të humbiste titujt kampionë bote në peshën e rëndë.

The post Usyk fitore dramatike ndaj mbretit të kickboksit, vendimi i gjyqtarit në sekondën e fundit i jep triumfin appeared first on Telesport.