Gazetar: Zekirja Haxhiu

Kanë kaluar saktë një muaj që nga 23 prilli kur në komisionin kuvendor për Sistem Politik filloi dhe u ndërpre debati për ligjin për deputetët, përmes së cilit shumica parlamentare kërkon që qytetarët që duan të bëhen deputetë, të kenë vetëm shtetësi të Maqedonisë. Arsyeja e ndërprerjes së debatit është parashtrimi i qindra amendamenteve nga opozita. Siç njoftoi kryetari i këtij komisioni, Lupço Prenxhov, gjithsej janë dorëzuar 177 amendamente prej të cilave mbi 150 nga deputeti i pavarur Bejxhan Iljas. Prenxhov kërkon nga deputetët ti tërheqin amendamentet ose në të kundërtën ligji nuk kalon.

Nuk është problemi në labirintet juridike, nuk është problemi te procedura por problemi është te vullneti politik nëse ata që dorëzuan amendamentet do ti tërheqin. Tani për tani nuk kemi një gjë të tillë. Sipas kësaj që thoni, ose të tërhiqen ose do të bllokohet. Po! A nuk ka vullnet për pranim të amendamenteve? Bisedojmë, këto gjëra rregullohen me dialog zgjidhen me bisedime, tha Lupço Prenxhov – Kryetar i komisionit për sistem politik.

Por parashtruesit e amendamenteve nuk heqin dorë. Deputeti Bejxhan Iljas për Alsat shprehet se ligji është antikushtetues. Sipas tij, Kushtetuta nuk ia ndalon askujt të posedojë shtetësi të dyfishtë.

“Momentalisht nuk kam atë plan. E përdor të drejtën time të rregullores. Unë si deputet jam i obliguar të kem kujdes në respektimin e Kushtetutës. Është e drejtë e imja të them se ky është ligj kundër kushtetues dhe ja kjo le të jetë fillimi,” deklaroi Bejxhan Iljas – Deputet i pavarur.

Nga LSDM nuk janë kundër ligjit dhe të njëjtit madje kërkojnë që ligji të vlejë nga ky mandat. I bëjnë thirrje Gashit të veprojë siç veproi me komisionin për financa dhe buxhet ku në vend të kryetares Sanja Llukarevska, e obligoi deputetin Bojan Stojanovski të udhëheqë seancën për huamarrje të re.

Të njëjtën mundet kryetari ta bëjë edhe me komisionin për sistem politik. Nëse pushteti nuk dëshiron, pra kryetari i komisionit nuk dëshiron të vazhdojë me seancën, në këtë rast kryetari, deklaroi Jovanka Trençevska – LSDM. /Alsat.mk

The post Ligji për shtetësinë e dyfishtë “bllokohet” – përplasje e fortë në Kuvend appeared first on Alsat.