Gazetare: Melihate Rustemi

Kushtet në konviktet studentore në Shkup vazhdojnë të mbeten problem për studentët, ndërkohë që ndryshimet e reja në Ligjin për standardin studentor kanë hapur debat për mënyrën e financimit të akomodimit dhe bursave shtetërore. Një pjesë e studentëve që anketuam për Alsat thanë se për shkak të  kushteve të mjerueshme në konvikte detyrohen të paguajnë qira, pavarësisht çmimeve të larta të banesave.

“Kushtet tek ne, në konviktet e studentëve, nuk janë më të mirat dhe nuk doja, nuk e kisha si opsion të qëndroja në konvikt. Në përgjithësi, qiratë në Shkup janë më të shtrenjta, por kjo nuk është ndonjë problem aq i madh.” – Student.

Studentet që jetojnë në konvikte në Shkup theksojnë probleme të shumta në infrastrukturë dhe higjienë, duke e konsideruar situatën të papërshtatshme për jetesë dhe studim.

“Sikur kushtet të ishin të mira, por që nuk janë, atëherë mendoj se do të ishte në rregull të paguanim më shumë. Por, me këto kushte, është e vështirë. Më e rëndësishmja është uji i ngrohtë dhe ushqimi në konviktet e studentëve, të cilat jo gjithmonë janë të mira. Mendoj se më kryesorja është të mbahet higjiena dhe të ketë ujë të ngrohtë pa ndërprerje, por nuk ka ujë të ngrohtë gjatë gjithë kohës, dhe ky është një problem i madh për të gjithë studentët,” u shpreh një student.

“E di që ka problem me insekte, me minj, që u hyjnë nëpër dhoma; kjo është katastrofë, vërtet për të ardhur keq për studentët që përpiqen të mësojnë për një të ardhme më të mirë të shtetit dhe të shoqërisë, dhe të kenë kushte të tilla. Thjesht nuk u jepet mundësi dhe motivim për të vazhduar më tej,” tha një tjetër studente.

Ditë më parë, Kuvendi miratoi me procedurë të shkurtuar ndryshimet në Ligjin për standardin studentor. Ndryshimet sjellin një model të ri për financimin e akomodimit studentor dhe për shpërndarjen e bursave shtetërore. Sipas zgjidhjeve të reja ligjore, konviktet studentore do të kategorizohen në dy lloje. Në kategorinë 1 përfshihen objektet e rikonstruktuara dhe me efikasitet energjetik, ndërsa në 2 janë konviktet ekzistuese, të cilat nuk janë rinovuar. Me modelin e ri të financimit, shteti do të mbulojë deri në 40 për qind të shpenzimeve për akomodim dhe ushqim në konviktet e Tipit 1, në vend të 50 për qind sa subvencionoheshin deri më tani. Për konviktet e Tipit 2, mbështetja shtetërore mbetet deri në 50 për qind. /Alsat.mk

The post Krizë në konvikte – studentët detyrohen të paguajnë qira jashtë appeared first on Alsat.