Në ditën e iluministëve mbarësllavë Shën Kirili dhe Metodi, opozitarja LSDM tha se gjatë qeverisjes së saj janë marrë vendime të rëndësishme shtetërore, falë të cilave gjuha maqedonase është njohur në OKB dhe BE, ndërsa me marrëveshjen me Frontex-in është pranuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian pa fusnota apo shtesa. Nga partia thonë se sot edhe kundërshtarët politikë e pranojnë se Marrëveshja e Prespës ka mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase, si dhe se anëtarësimi në NATO ka qenë i dobishëm për shtetin dhe sigurinë e qytetarëve.
“Integrimi në BE, në familjen e madhe evropiane të popujve të barabartë, është akti më i madh i patriotizmit dhe garancia më e fortë për të ardhmen e popullit maqedonas, gjuhës maqedonase dhe shtetit maqedonas. A nuk bie shi nga Zoti për të gjithë barabar?! A nuk ngrohë Dielli njëjtë për të gjithë?! A nuk frymojmë vallë të gjithë barabar?! – tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
E pikërisht me këtë frazë u mor partia në pushtet VMRO-DPMNE, duke dërguar këtë video të ish-kreut socialdemokrat Zaev kur fliste për ndryshimin e emrit të shtetit.
“Deri sa marr frymë, deri sa e frymoj këtë ajër maqedonas dhe deri sa më mban mendja, se gjyshi im, babai, të gjithë paraardhësit, unë, im bir dhe vajza ime, jemi maqedonas, të lindur këtu në Maqedoni, ajo nuk mund të ndodhë”
Bashkëngjitur me këtë video nga VMRO-DPMNE shkruajnë se kjo i kthen në një të kaluar të errët të mbushur me gënjeshtra, duke akuzuar se partia nuk ka ndryshuar qasje dhe se vetëm liderët ndërrohen nga Zaev, te Kovaçevski e tani te Filipçe. Në reagim thuhet gjithashtu se LSDM, sipas tyre, përsëri paralajmëron “tradhti kombëtare” nëse vjen në pushtet, duke u referuar deklaratave dhe vendimeve të mëparshme politike.
