Duke folur në kishën “Shën Sofia” në Ohër, në akademinë solemne me rastin e Ditës së iluministëve mbarësllavë “Shën Kirili dhe Metodi”, kryeministri Hristijan Mickoski një pjesë të fjalimit ia kushtoi një prej temave më aktuale në vend, atë të dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

“Sado që të na tërheqin temat ditore, është e rëndësishme që të përkushtohemi në disa prej tyre. Sado që të ketë politike dhe interesa në prapavijë në imponimin e temës për përdorimin e gjuhëve në dhënien e provimit të jurisprudencës, unë jam i gatshëm dhe në mënyrë të caktuar më vjen mirë që përfundimisht mund të flasim për arsim, por bisedat patjetër duhen vendosur në prizmin e duhur. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo proces që do të nënkuptonte arsim më të mirë dhe më të fortë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Më tej Mickoski shtoi nuk ka pengesë që edhe komunitetet të kenë të drejtën të përparojnë dhe të përdorin gjuhën e tyre, andaj për provimin jurisprudencës paralajmëroi se së shpejti mund të arrihet një zgjidhje që të jetë e pranueshme për të gjithë, por theksoi se kjo do të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore dhe duke respektuar gjuhën maqedonase.

“Andaj shumë shpejt do të vijmë në një zgjidhje që të gjithë duhet ta mbështesim dhe që do të kapërcejë mbi interesat dhe tendencat individuale partiake dhe ndoshta politike që të ngecim në edhe në një grackë nacionaliste, e historia na mëson se të tilla gracka janë metoda më e mirë e atyre që kanë interesa personale kriminale ose të tjera dhe që rregullisht fshihen prapa temave të këtilla, që janë mbulesë e qëllimeve të vërteta që të keqpërdoret bashkëjetesa dhe të krijohen pengesa”, shtoi Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ky paralajmërim i kryeministrit vjen pasi para një jave studentët shqiptarë të drejtësisë për herë të dytë protestuan me kërkesën që provimin e jurisprudencës të mund ta japin edhe në gjuhën shqipe.

Në po të njëjtën ditë, Mickoski u takua me partnerët e koalicionit VLEN dhe u morën vesh për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje, por u paralajmërua se zgjidhja paraprakisht do të dërgohet në Komisionin e Venecias.