Partia Demokratike Shqiptare mbajti mbrëmë Kongresin e saj të IX-të, ku Menduh Thaçi u rizgjodh kryetar i partisë.
Në kuadër të Kongresit u zgjodhën edhe anëtarët e Kuvendit Qendror, ndërsa u miratua një rezolutë politike që riafirmon qëndrimet e partisë për barazi, përfaqësim dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Nga PDSH-ja bëjnë të ditur se partia do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe organizativ edhe në periudhën e ardhshme.
“Sot, në një atmosferë demokratike dhe me përgjegjësi të lartë politike, u mbajt Kongresi IX i Partisë Demokratike Shqiptare, ku me besimin e delegatëve, z. Menduh Thaçi u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare”, thuhet në komunikatën për media të PDSH-së.
Sipas njoftimit, në Kongres u zgjodhën edhe anëtarët e Kuvendit Qendror, duke forcuar unitetin, organizimin dhe vazhdimësinë politike të partisë.
Po ashtu, në kuadër të Kongresit IX u miratua edhe një Rezolutë Politike, përmes së cilës konfirmohet përkushtimi për barazi të plotë, përfaqësim autentik, demokraci dhe mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Partia Demokratike Shqiptare mbetet e vendosur në rrugën e saj për përfaqësim dinjitoz, transparencë dhe angazhim të vazhdueshëm politik”, thuhet më tej në komunikatë.
