Nga shtatori pritet të nisë funksionimi i linjës së parë të projektit për tren urban në Shkup. Drejtori i Hekurudhave – Infrastruktura, Sinisha Ivanovski, në intervistë për Prizma tha se po zhvillohen punimet në linjën Zelenikovë-Qendra Transportuese, e gjatë 25 kilometra, ndërsa deri në fund të qershorit pritet të përfundojë rikonstruksioni i hekurudhës, përcjell TV21. Sipas tij, nga shtatori treni urban duhet të jetë plotësisht funksional në këtë drejtim.
Ivanovski paralajmëroi se deri në fund të vitit 2027 planifikohet të përfundojnë edhe linjat drejt Ilindenit dhe Gjorçe Petrovit. Ai tha se për funksionimin e projektit nevojitet koordinim mes ndërmarrjeve hekurudhore dhe NQP-së, në mënyrë që qytetarët të kenë transport të organizuar deri te stacionet. Ivanovski foli edhe për gjendjen e rëndë të stacionit hekurudhor në Shkup, duke paralajmëruar rikonstruksion të plotë në kuadër të projektit për hekurudhën e shpejtë./tv21.tv
