Boksieri britanik Fabio Wardley, ish-kampion bote në peshën e rëndë, ka aktivizuar një klauzolë për një revansh të menjëhershme ndaj patriotit të tij Daniel Dubois. Dy boksierët u përballën 10 ditë më parë në Manchester, me Dubois që fitoi me KO teknik në raundin e 11-të dhe mori titullin e kategorisë WBO.
Promotori Frank ëarren konfirmoi për “Sky Sports” se një klauzolë revanshi në kontratën e tyre ishte vendosur që më parë. Ndaj, Wardley tani ka kërkuar zyrtarisht një përballje të dytë me patriotin e tij, e cila pritet të zhvillohet më vonë këtë vit.
Warren e përshkroi sfidën e Wardley kundër Dubois si “ndeshjen më të mirë të peshave të rënda që kam zhvilluar ndonjëherë”. Wardley, që në atë duel pësoi humbjen e parë në karrierë, është zotuar të japë një tjetër betejë epike me rivalin e tij britanik dhe të hakmerret për atë disfatë.
31-vjeçari është edhe më i motivuar dhe i përqendruar për t’u hakmarrë për atë humbje ndaj Dubois. “Bota e boksit e njeh karakterin tim dhe ajo sfidë e fundit e vërtetoi këtë pa asnjë fije dyshimi. Ishte një duel madhështor, por bëra disa gabime që do t’i korrigjoj në revansh. Urime Daniel, por po vij për ty… dhe rripin tim!“, tha Wardley.
Promotori Queensberry konfirmoi: “Fabio Wardley ka aktivizuar klauzolën e sfidës së dytë pas humbjes së tij. Të gjitha palët tani do të punojnë për një përballje të dytë, për më vonë në vitin 2026.” Wardley nuk pati nevojë për trajtim spitalor dhe po shërohet nga dëmtimet në fytyrë që pësoi në atë duel.
The post Wardley aktivizon klauzolën e revanshin dhe paralajmëron Dubois: Dua të rimarr titullin tim appeared first on Telesport.
