Presidenti i FSHF, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, ku ndau mendimet e tij mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kombëtares shqiptare, emërimin e trajnerit të ri Rolando Maran, zhvillimin e futbollit shqiptar dhe projektet madhore të FSHF-së në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë të gjatë dhe interesante me moderatorët Salsano Rrapi dhe Elona Duro, kreu i FSHF-së foli për mbylljen e ciklit me Silvinjon dhe arsyet që çuan në nisjen e një epoke të re me trajnerin italian Rolando Maran në stolin kuqezi. Presidenti Duka theksoi se vendimi ishte një konsensus mes palëve, ndërsa u shpreh i bindur se Kombëtarja shqiptare do të luajë një futboll më agresiv dhe më sulmues nën drejtimin e teknikut të ri.
Gjatë intervistës, Presidenti Duka komentoi edhe objektivat e Kombëtares në UEFA Nations League dhe në rrugëtimin drejt EURO 2028, foli për talentet e reja të futbollit shqiptar, nivelin e kampionatit “Abissnet Superiore”, investimet në infrastrukturë, organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027 dhe rolin e tij në UEFA si zv/president i qeverisë europiane të futbollit. Në bisedë nuk munguan as pyetjet mbi futbollin shqiptar, Kombëtaren, lojtarët kuqezi dhe sfidat e ardhshme të FSHF-së.
– President, ndryshimi i trajnerit kombëtares ka qenë 1 nga temat më të diskutuara ditëve të fundit. Ka qenë ish-trajneri i kombëtares, Silvinjo, që kërkoi të largohej apo vendimi është marrë nga ju, sepse mendon se cikli ishte mbyllur dhe kombëtarja kishte nevojë për një frymë të re?
– Në fakt, dhe le të themi në fund më mbetet mua që ta vej vulën, por ka qenë një lloj konsensusi që kjo marrëdhënie sportive duhet të ndërpritej për të pasur një ndryshim.
E kam thënë dhe në një takim, që ekipet kombëtare ndryshojnë, kanë specifika, nuk janë njëlloj si klubet. Sepse në klube, duke qenë që marrëdhënia e trajnerit me futbollistin padyshim që me kalimin e kohës do të konsumohet, në klube e ke shumë të thjeshtë. Shet ato 3-4 futbollistë që mund të jetë konsumuar marrëdhënia me trajnerin dhe merr disa të tjerë.
Po t’i vesh re në të gjithë eksperiencat sportive në historinë e futbollit, trajnerët e klubeve rezistojnë më shumë sesa ato të kombëtareve, ndërsa në kombëtare për këtë arsye dhe thuhet me sloganin që cikli u mbyll dhe cikli i ri filloi, e vetmja gjë që mund të ndërrosh është trajneri dhe të fillosh nga e para për të pasur një motivim akoma më shumë.
Domethënë këtë lloj këtë bisedë që po bëj me ju e kam bërë dhe me Silvinjon dhe ky ka qenë konsensus që kemi gjetur: po, duhet të fillojmë një cikël të ri.
– E di çfarë më bëri përshtypje? M’u duk sikur jo si një plan i gjatë, i mirëmenduar, mbase thjesht paragjykim i imi, po mu duk sikur sot për nesër ndodhi kjo gjë…
– Jo, kjo gjë është menduar që më parë, domethënë me Silvinjon është biseduar që më parë, para se të përfundonte, por gjithsesi nuk mund të bënim asnjë lloj bisede publike para play-off-it.
– E kush ishte më pak entuziast për ndeshjen me Poloninë, atë play-off-in e Botërorit? Domethënë ti ishe më pak entuziast apo Silvinjo?
– Për ta përgatitur ndeshjen duhet ta besosh vetë dhe unë padyshim që kam bindur veten që ne do ta fitonim sfidën në Poloni. Sepse nëse nuk e beson vetë, është shumë e vështirë qe ti ta transmetosh tek të tjerët dhe Silvinjo ka bërë të njëjtën gjë. Të gjithë kishim bindjen që do ta fitonim, e përgatitëm shumë mirë emocionalisht, pavarësisht se jo gjithmonë ajo që përgatit ose dëshiron do të realizohet në fund.
-Është një zgjedhje me zemër apo është një zgjedhje me strategji emri i trajnerit të ri të kombëtares?
– Me zemër jo, me emocion jo, po me një lloj le të themi mendimi se ku jemi ne, çfarë kemi nevojë dhe çfarë mund të bëjmë për të ardhmen.
Trajneri që ne e kemi emëruar është një trajner me eksperiencë, me goxha eksperiencë. Kam dëgjuar komente nga më të ndryshme që ne jemi nivel i lartë, trajneri është nivel i ulët, jo Serie B jo Serie C. Duhet të jemi realistë, trajneri ka qenë rreth 12 vjet në Serie A dhe unë besoj që Seria A e atyre kohëve madje ka qenë më e mirë sesa Serie A tani, por edhe ekipet e Serisë B që ka drejtuar janë klube serioze dhe klube të mira.
Unë kam parë dhe ndeshjet e tij, prononcimet e tij, mentalitetin e tij dhe unë jam shumë i bindur që, rezultati jo gjithmonë varet nga loja. Futbolli nuk është njëlloj si disa sporte tjera, ku ai që luan më mirë fiton, në futboll fiton edhe ai që luan më keq. Por për një gjë jam shumë i sigurt dhe i bindur, që me këtë trajner Shqipëria do të luajë më mirë.
– Këtë e kisha dhe unë pyetje, çfarë të bindi që ta zgjidhje këtë trajner, gjëja e parë që të bindi?
– Në ekipet që ka drejtuar Maran kanë qenë ekipe agresive, sulmuese dhe jo ekipet sipas mentalitetit që ne kemi për futbollin e dikurshëm italian, katenaço.
Ekipi jonë sot është në një nivel që mund të luajë, mund të sulmojë, mund të bëjë lojë dhe jo një ekip që vetëm duhet të mbrohet dhe të kundërsulmojë. Me këtë trajner besoj se do ta bëjmë më mirë këtë gjë.
– Jam kurioz, kur zgjidhet një trajner, duhet për Shqipërinë, pra duhet një që motivon fort apo trajner që thotë unë do të gjej lojtarët më të mirë apo thjeshtë motivimi duhet të jetë më i fortë sepse lojtarët janë?
– Tani, thashë që ekipet kombëtare kanë specifika. Nuk është e njëjta gjë, nëse ka një eksperiencë është akoma më mirë.
Në këndvështrimin tim thuhet shpesh, që trajnerët nëse do ti ndanim në kategori, do t’i ndanim në ato trajnerë që vërtet në Itali thonë që e ka nisur nga poshtë, nga fillimi, ka edhe nga ata që ka qenë yje si futbollistë dhe e nisin nga lart. Të dy profilet janë pranueshëm, të dy mund të bëjnë sukses, por ky që ne kemi emëruar tani është nga kjo kategori që kanë ardhur nga poshtë, e ka nisur nga baza. Nëse do ta krahasojmë me natyrën e Xhani De Biazit, trajnerë që e kanë nisur nga poshtë dhe kanë bërë karrierë në ngjitje.
– Objektivi i parë që i keni vendosur trajnerit Maran?
– I kam bërë edhe publike, ia kam thënë që ditën e parë trajnerit, që sot ne jemi në kushtet që në UEFA Nations League ne duhet të jemi në vend të parë dhe në të ngjitemi në Ligën B si edhe të kualifikohemi për në finalet e Kampionatin Europian.
– Keni ju agjent trajnerësh apo ti i gjen vetë trajnerët? Pra si funksionon, ka një grup pune në FSHF që punon për të gjetur trajner?
– Në momentet që ti kërkon të ndërrosh trajner, pothuajse të vijnë vetë propozimet dhe nga ato propozime fillon e përzgjedh, bën një short-list me të cilët nis takimet dhe diskutimet. Kështu që një nga ato ka qenë edhe trajneri që ne e kemi emëruar.
– Ti e njihje më përpara Maranin?
– E kam parë në televizor, por nuk e kisha takuar asnjëherë. E kam takuar dy herë para emërimit, në një lloj mënyre na ka bindur edhe eksperienca e tij.
– Unë kur e pashë në fakt mu duk shumë autoritar si trajner …
– Shkolla italiane e futbollit, trajnerët italianë janë të disiplinuar në përgjithësi brenda dhe jashtë fushe. Në një lloj mënyre kam eksperiencë dhe me trajnerë gjermanë, kroatë dhe italianë, por italianët unë i klasifikoj tek ato që kanë më shumë disiplinë se sa gjermanët, pavarësisht se ne kemi përshtypjen që gjermanët janë të disiplinuar, por në futboll mendoj se italianët janë më të disiplinuar.
– President, sa kohë i duhet një trajneri të ndërtojë një ekip kombëtar?
– Sa më shumë kohë të ketë më mirë është, por kombëtarja prandaj thashë ka dhe specifika, nuk ke shumë ditë në dispozicion. Kjo ishte dhe një nga arsyet që ne menduam që ta bëjmë zëvendësimin këtë muaj, sepse ne kemi dy ndeshje miqësore me 3 qershor ndaj Izraelit dhe me 6 qershor ndaj Luksemburgut në “Air Albania” dhe t’i shërbenin trajnerit për t’u njohur më mirë me skuadrën dhe për t’u përgatitur për ndeshjet zyrtare të shtatorit.
– Më kanë thënë që kur erdhi Silvinjo i njihte shumë mirë shqiptarët, pra lojtarët shqiptarë që luajnë nëpër botë. Ky pati ndonjë befasi?
– Nuk është ndonjë gjë, le të themi, e veçantë që një trajner njeh futbollistët dhe një futbollist njeh trajnerin, sepse bota e futbollit sidomos sot është zvogëluar shumë.
Çdo njeri di çdo gjë, të gjithë nëpërmjet internetit, nëse nuk i shohim kështu si tifozë i shohin si specialistë nëpër platforma të gjitha ndeshjet e futbollit dhe i njohin futbollistët.
Por përveç kësaj, trajneri Rolando Maran ka pasur edhe disa futbollistë shqiptarë që ka trajnuar gjatë karrierës së tij.
– Z. Duka, pse kemi ne gjithmonë trajnerë të huaj dhe asnjëherë një emër shqiptar?
– Kjo është një pyetje që bëhet shpesh në fakt, por për disa arsye ne kemi vendosur që të vazhdojmë përsëri me trajnerë të huaj.
Nuk e kemi përjashtuar si alternativë, e kemi menduar dhe kemi pas kandidatura, por një lloj mënyrë kemi preferuar trajnerë më me shumë eksperiencë dhe marrin më shumë eksperiencë nga shkolla më të mira të futbollit dhe mund ta ndihmojë shumë ekipin kombëtar.
– Po ju a mendoni a besoni që ky trajner mund të na çojë në Botëror?
– Nëse vetëm një trajner të çonte në Botëror ose do të nxirrte kampion bote, atëherë besoj Katari që është një nga vendet më të pasura do të ishte gjithmonë në finale, por fatkeqësisht nuk është as pjesëmarrës. Sepse do blinin trajnerin më të mirë të botës.
Që të bësh rezultat, duhet t’i bashkosh të gjitha komponentët, duhet të ketë skuadër, duhet të kesh disiplinë, duhet të kesh institucion, duhet të kesh atmosferë pozitive dhe pastaj edhe trajnerin.
Trajneri është një faktor i rëndësishëm në skuadër, por jo i vetëm. Nëse maksimizon ato resurse që ne kemi, atë ekip që ne kemi, merr maksimumin.
– Kemi kuriozitet për trajnerin e ri. Duket sikur gjithë pyetjet i kemi të përqendruar aty…
– Kam dëgjuar këto ditë lloj-lloj abuzimesh, jo Federata mori këtë, jo uli nivelin, jo rriti nivelin, jo po rriti buxhetin. Faktikisht nuk kam preferuar ndonjëherë të flas për marrëdhëniet financiare me trajnerët apo stafin, por paga e Maran është e njëjtë me atë të Silvinjons, mbase ndonjë përqind më shumë. Janë në të njëjta nivele.
– A ka kushte vë presidenti apo ku Federata që i thotë trajnerit të ri, nëse ti nuk do arrish këtë, do shkëputet marrëdhënia ose për rezultatet..
– Ka bonuse për arritje rezultatesh, domethënë marrëdhënia e punës nuk mund të cenohet me askënd, pra pagën gjithkush do ta marrë, por pastaj për arritje rezultatesh ka bonuse për vendin e parë në Nations League. Ka bonuse nëse kualifikohet për Europian, e njëjta gjë ndodh edhe me futbollistët.
Nëse do ta prishësh kontratën nga pikëpamja financiare do ta paguash deri në fund.
– I pëlqen Shqipëria, na njeh, domethënë çfarë mendon për Shqipërinë?
– Këto janë profesionistë sportiv dhe ambientohen shpejt me atë punën e vet sportive.
Pastaj, për gjërat e tjera gjatë jetës në Shqipëri mund ta japë vetë ndonjë opinion për jetën në përgjithësi.
– Do kemi lojtarë të rinj në kombëtare? Ka emra të rinj që ne nuk i njohim akoma dhe nuk e dimë?
– Emër që nuk ka qenë ndonjëherë në ekipin Kombëtar dhe që do vijë për herë të parë në ndeshjen mes Izraelin është Luis Hasa, shqiptar me origjinë nga Peqini, i cili luan në Itali. Ka qenë me Leçen, pastaj kaloi me Napolin dhe tani me Carrarese-n. Mbahet si një nga talentet e Europës, është mesfushor ofensiv.
– Kampionati po shkon drejt fundit të sezonit. Dua të di si e vlerësoni nivelin e kampionatit Abissnet Superiore këtë vit dhe a mendoni se klubet shqiptare po ecin realisht drejt standardeve europiane apo kemi ende probleme strukturore që frenojnë zhvillimin?
– Kampionati po vjen drejt fundit, le të themi për 6 ekipe ka përfunduar, ndërsa për 4 të parat se kush do jetë kampion i Shqipërisë vazhdon në Final Four.
Në fakt është interesant sepse 3 ekipe janë me pikë të barabarta Vllaznia, AF Elbasani dhe Egnatia, Dinamo diçka më pas. Kështu që nga pikëpamja e garës, emocioneve që jep ajo deri në fund është vërtetë interesante.
Askush nuk mund ta parashikojë, kështu që një nga gjërat më të bukura të futbollit është kur mbetet sa më shumë emocione deri në momentet e fundit.
Nëse do flasim për nivelin e kampionatit, nuk është domethënë kampionati shqiptar në nivelet e kampionateve të përparuara të Europës. Mund të them që ka bërë hapa pozitiv përpara, por akoma është larg.
Krahasuar me kampionatet e Ballkanit? Besoj se në disa komponentë jemi shumë më mirë, por në disa komponentët jemi më poshtë. Në infrastrukturë besoj se jemi shumë më mirë, sidomos në stadiume, por edhe në infrastrukturën e stërvitjes për sa i përket kualitetit të tyre. Ndërsa për sa i përket sasisë apo numrit fushave që duhen për stërvitje, jemi në deficit. Nuk e krahasoj me vendet e Ballkanit, por me vendet e zhvilluara.
– Ju jeni dhe Zëvendës-Presidenti i UEFA-s, prej sa vitesh u bë?
– Zv.President një mandat, në Komitetin Eksekutiv të UEFA-s dy mandate. Ne bëjmë goxha takime e mbledhje, para pak ditësh kishim një mbledhje të KE së UEFA-s në Stamboll, në të cilën një nga vendimet ishte vërtetë i rëndësishëm, por edhe që bën lajm për publikun, ndryshimi i formatit të kualifikueseve për Botërorin që do të ndryshojë pas vitit 2028. Do të ndryshojë formati, do të krijohen dy kategori, një me 36 skuadra dhe një me 18 dhe do të luhet në sistemin pak a shumë si ai i Champions League.
Nuk do të ketë me grupe me nga 4 skuadra, por një grup me tetë skuadra, do të luhet jo me të gjithë skuadrat e grupit, por me 4 prej tyre. Numri i ndeshjeve nuk ndryshon.
– Sa ndikojnë lobingjet, aleancat, influencat ekonomike-politike në vendimmarrje në futboll?
– Më duhet të them që vendimet tona janë paanshme, nuk ka lobime, jemi një organizatë shumë demokratike, por gjithsesi lobimet ekzistojnë, sepse qoftë edhe në momentet e zgjedhjes së një organi, siç është Komiteti Ekzekutiv apo qoftë edhe presidenti i uefa-s, do lobohet, domethënë do flasim me njerëzit. Në fund të fundit çfarë është lobimi? Diskutime me njerëzit, t’i ofrosh se çfarë ti do bësh për organizatën, por edhe për shumë çështje tjera padyshim që do lobosh.
Nëse nuk do lobosh, nuk të voton njeri për të pasur një aktivitet në vendin tënd, për të pasur një finale apo një kampionat europian, siç ne do të kemi.
– Në opinionin publik ekziston shpesh perceptimi se futbolli nuk trajtohet njësoj në të gjitha vendet dhe këtu e kam fjalën për debatin e fundit që është bërë me përjashtimin e Rusisë, por ndërkohë ka edhe vende që janë në konflikte lufte si Irani apo Izraeli që vazhdojnë të marrin pjesë normalisht. Dua t’ju pyes si drejtues me eksperiencë të gjatë a mendoni se futbolli sot po arrin të mbetet neutral apo është bërë e pamundur që futbolli të ndahet nga politika dhe nga gjeografia?
– Në fakt, këto janë pyetje politike, jo sportive, kështu që ne është më mirë te merremi me sport se sa politikë. Në fakt, nëse do të më pyesësh mua se kush mendimi im, them që të gjithë duhet të luajnë futboll.
Nuk duhet t’i cenohet e drejta për të luajtur. Ç’faj ka një fëmijë për shembull? Pastaj nëse ka standarde që duhen marrë masa për punë agresione, luftëra e të tjerë duhet të jenë barabarta.
– Tani u bënë ndryshime për kampionatin botëror për disa rregulla të reja loje, u miratuan ndryshime apo jo?
– Dy ndryshime janë bërë për kampionatin Botëror të Amerikës. Nëse një futbollist lë fushën e lojës dënohet me kartonin e kuq. Nëse e lë fushën e lojës për arsye të ndryshme dhe një nga ato arsye është kur nuk je dakord me vendimet e arbitrit, siç ndodhi në finalen e Kupës së Afrikës.
Dhe ndryshimi tjetër është që ndërtohet me kartonin e kuq çdo futbollist që vë mbulon gojën me dorë kur flet, sepse mendohet që duke vënë dorën mund të ketë ndonjë bullizime, shprehje racizmi apo ofendime.
Ky nuk është një vendim i detyrueshëm për të gjithë konfederatat, domethënë edhe për Europën apo për të tjerët, por për kampionat Botëror është në fuqi.
– Sigurisht shumë komplimente edhe për përfaqësuesen e Kosovës që pati një përfaqësim kaq të mirë, por unë jam kurioze të di, si ia bëjmë ne për të marrë një futbollist me origjinë nga Kosova, që është aq i mirë sa ta marrim ne përpara Kosovës?
– Nuk bëjmë kështu konkurrencash dhe ne nuk marrim asnjë futbollist në Kosovë që është aktivizuar apo që e ka selektuar Kosova.
Por ne i kemi konsideruar gjithë shqiptarët gjithmonë njësoj, domethënë me të drejta të barabarta dhe që kanë të drejtë të luajnë dhe i japim mundësinë të kontribuojnë për Kombëtaren shqiptare. Kështu që mundësinë ia kemi ofruar të gjithëve, nuk e kemi fshehur ndonjëherë këtë gjë dhe do vazhdojmë ta bëjmë.
E kemi bërë këtë gjë dhe kur Kosova nuk kishte një skuadër përfaqësuese, e bëjmë edhe sot.
Gjithsesi tanimë me konsolidimin e skuadrës së Kosovës, shqiptarët me origjinë nga Kosova, më shumë preferojnë të shkojnë te Kosova se sa në ekipin kombëtar shqiptar.
– A ekziston mundësia që një ditë të bashkohen federatat tona, të kemi një Kombëtare?
– Kjo është një gjë pothuajse e pamundur të bëhet nëse nuk bashkohen dy shtete për të pasur një shtet. Nëse kemi një shtet, pastaj do të kemi një kombëtare.
Të paktën ligjet tona të paktën nuk e lejojnë, por edhe ajo çfarë mendoj unë mund të ishte që një nga shtetet vendos që s’do ndërtojë ekip kombëtar për të marrë pjesë në kompeticione dhe të gjithë futbollistët do t’i çojë në një ekip kombëtar. E vetmja mënyrë është kjo.
Çdo federatë ka të drejtë të deklarojë në uefa, që nuk do marrë pjesë në kompeticione ndërkombëtare me ekipin A apo të moshave dhe këto futbollistë për shembull i çon të gjithë shqiptarët në Kosovë ose anasjelltas.
– Ekipet zinxhir të kombëtares si U-17, U-19 apo U-21 janë në nivel të mirë tani apo ka vite që janë pothuajse njësoj?
– Ne kemi ekipe kombëtare që grup-mosha U-14 dhe deri ke tek ekipi i parë, për vajza dhe djem, padyshim që niveli sidomos i vajzave ka ndryshuar shumë, duke pasur parasysh që ne jemi me një histori të shkurtër në futbollin e vajzave, që nga ekipet e moshave, pavarësisht se kompeticionet nisin nga 17-vjeçarët, 19-vjeçar, 21-vjeçar dhe ekipi i parë. Kemi rezultate të mira me ekipin e parë të vajzave, tashmë jemi në Ligën B në Nations League, kemi bërë rezultate të mira, paraqitje të mira, goxha është zhvilluar, por edhe ekipet e moshave të djemve kanë progres pozitiv.
Disa futbollistë pothuajse gjysma e atyre që janë në ekipin e parë sot kanë ardhur nga ekipet e moshave. Dikush një ditë më tha, asnjë nga ekipet e moshave nuk ka ardhur në ekipin e parë. I verifikova dhe ia numërova, që nga Strakosha, Hysaj, Mitaj, Asllani, Ramadani. Të gjithë këto kanë ardhur ne Kombëtaren A nga ekipi i moshave. Ne kemi qejf të themi, asnjë nuk ka ardhur nga moshat, të gjithë kanë ardhur nga jashtë, por kjo nuk është e vërtetë.
– Si është raporti, më shumë kërkojmë ne apo më shumë janë ata që dëshirojnë të vijnë në kombëtare?
– Kjo është pozitive për ne, sepse çdo futbollist shqiptar ka dëshirë të luajë për ekipin kombëtar dhe e ka ëndërr të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Kështu që kjo na jep një favor, sepse janë të motivuar për të dhënë maksimumin për ekipin kombëtar.
Nuk është kështu në të gjitha vendet, futbollistët duke pasur parasysh që sot marrin shpërblime shumë të mëdha nëpër klube preferojnë nganjëherë që të rrinë në klub dhe të mos shkojnë në kombëtare, sepse lodhen dhe synojnë të mos cenojnë benefitin e vet.
– President cili ka qenë momenti më emocionues për ju gjatë këtij viti kalendarik, më shumë në kohën e kualifikueseve të Botërorit apo jo?
– Emocion ka qenë ndeshja me Andorrën që ne duhet ta fitonim patjetër. Kaloi pjesa e parë, nisi dhe e dyta, shanset më dukeshin të pakta dhe realisht kam pasur shumë emocion. Sepse nëse nuk merrnim atë fitore nuk do të shkonim në play-off.
– Kualifikimi më i bukur: Franca 2016 apo 2024?
– Franca 2016, sepse ishte hera e parë.
– Goli i Kombëtares që nuk do ta harroni kurrë?
– Kam shumë gola të skalitur në mendje, por më i rëndësishmi ishte ai i Bajramit në Çeki.
– Trajneri më karizmatik që ka pasur Kombëtarja?
– Xhani De Biazi.
– Lojtari i Kombëtares që të ka surprizuar më shumë?
– Juljan Shehu.
– Më shumë emocione ke si tifoz apo si president?
– Të dyja bashkë, nuk i ndaj dot.
– Ndeshje dramatike apo fitore e pastër?
– Fitore e pastër.
– VAR është ndihmë apo stres?
– Personalisht nuk jam për teknologjinë, por gjithsesi VAR-i ka korrigjuar shumë gabime të arbitrave dhe ka statistika për një progres vërtet të madh në uljen e gabimeve.
– Penalltinë pro nesh e sheh apo kthen kokën derisa të dëgjosh zhurmën e stadiumit?
– E shoh.
– Kombëtarja sot apo ajo e 2016-ës?
– Më e mirë është kjo e sotmja.
– Kundërshtari që preferoni të përballet Shqipëria?
– Për rezultat, ndonjë ekip i dobët, por nga ekipet e mëdha, Gjermania.
– Futbolli shqiptar është krenari sot apo sfidë?
– Për mua është krenari. Më duket sikur Shqipëria nuk ka gjë më të bukur se futbolli.
– Talenti shqiptar më premtues i momentit sipas jush?
– Luis Hasa është një nga talentet, por nuk mund të veçoj vetëm një emër.
– Armando Broja apo Muçi?
– Muçi.
– Berat Gjimshiti apo Elseid Hysaj?
– Shumë e vështirë. Hysaj.
– Tomas Strakosha apo Etrit Berisha?
– Etrit Berisha.
– Kristjan Asllani apo Ylber Ramadani?
– Ramadani.
– Nedim Bajrami apo Rey Manaj?
– Manaj.
– Cana apo Mavraj?
– Cana.
– Igli Tare apo Erjon Bogdani?
– Bogdani.
– Andi Lila apo Altin Lala?
– Altin Lala.
– Do të shkosh në Amerikë për Kampionatin Botëror?
– Do të shkoj për hapjen, sepse kemi një samit të FIFA-s. Do të shoh dy ndeshje: ndeshjen e hapjes dhe një ndeshje në Miami.
– Je pro basteve në Shqipëri apo kundër?
– Unë jam kundër që njerëzit të luajnë bixhoz, por në Shqipëri luhet bixhoz dhe për këtë arsye kam kërkuar që më mirë të luajnë një bixhoz të ligjshëm dhe të paguajnë taksa, sesa të luajnë ilegalisht dhe të mos paguajnë taksa.
– Me kë je tifoz në Abissnet Superiore?
– Me Vllazninë. Pothuajse gjithë jetën.
– Kush e fiton Botërorin?
– Besoj se të gjithë kemi të njëjtat skuadra favorite: Franca, Anglia, Portugalia. Unë jam tifoz i Brazilit.
– Çfarë ngjarjesh të mëdha do të ndodhin në FSHF në vazhdim?
– Aktiviteti më i rëndësishëm është Kampionati Europian për U-21 në vitin 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri. Do të vijnë 8 ekipe në Shqipëri dhe 8 në Serbi. Kampionati Europian për U-21 është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm pas Kampionatit Europian të të rriturve. Ajo për të cilën ne po lobojmë është organizimi i finales së një Superkupe në Shqipëri në vitin 2028.
The post Duka: Objektivi është “EURO 2028”. Me Maran trajner, Shqipëria do të luajë më mirë appeared first on Telesport.
