Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria 14 shoferë në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut për shkak të shkeljeve të rënda në komunikacion, përfshirë drejtimin e automjeteve nën ndikimin e alkoolit dhe pa patentë shoferi.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, dy shoferë në Shkup dhe Ohër janë kapur duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit. Njëri prej tyre, nga Ohri, kishte 1.77 promilë alkool në gjak dhe gjatë drejtimit shkaktoi edhe një aksident rrugor.
Policia gjithashtu ka ndaluar tre persona që drejtonin automjete pa patentë shoferi. Një person nga Prilepi drejtonte veturë, një nga Kumanova motoçikletë, ndërsa një nga Manastiri moped.
Një rast veçanërisht shqetësues është regjistruar në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, ku një 17-vjeçar nga fshati Vërbjan shkaktoi aksident rrugor duke drejtuar motoçikletë pa e kaluar provimin dhe pa poseduar patentë shoferi.
Në Shkup është ndaluar edhe një drejtues motoçiklete që qarkullonte pa kategorinë përkatëse të patentës dhe pa helmetë mbrojtëse.
Përveç këtyre rasteve, policia ka kapur edhe shtatë persona të tjerë që drejtonin automjete pa leje drejtimi. Bëhet fjalë për drejtues nga Shkupi, Sveti Nikolla, Koçani, Makedonska Kamenica dhe Negotina, ndërsa njëri prej tyre në Shkup, duke drejtuar veturë pa patentë shoferi, ka shkaktuar edhe aksident rrugor.
Nga MPB-ja njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të ngrihen kallëzime përkatëse penale.
The post 14 shoferë arrestohen për drejtim të pakujdesshëm, disa shkaktuan edhe aksidente rrugore appeared first on Alsat.
