Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë për Sistem Politik, Rami Qerimi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në SHBA, duke vlerësuar se klima e re politike atje po hap hapësirë për rishqyrtimin e një sërë vendimesh dhe sanksionesh të vendosura në periudhën e kaluar.

Sipas Qerimit, në këtë kontekst edhe rasti i Artan Grubi mbetet një çështje që mund të kalojë në një proces të ri vlerësimi.

“Sot, kur po flitet për rishikimin e disa vendimeve të mëhershme dhe kur raste të caktuara po shqyrtohen përsëri, shpresa për një trajtim objektiv dhe të drejtë është më reale se kurrë. Askush nuk duhet ta paragjykojë rezultatin, por po aq e rëndësishme është që askush të mos e konsiderojë një vendim si të përjetshëm dhe të pandryshueshëm”, thekson Qerimi.

Ai shton se në politikë, si në jetë, e vërteta dhe faktet kanë peshën e tyre. Sipas tij, nëse një proces rishqyrtimi do të dëshmojë se ndaj Grubit ka pasur elemente padrejtësie ose vlerësime të gabuara, rikthimi i tij në skenën politike do të ishte legjitim dhe një dëshmi se drejtësia duhet të mbështetet mbi fakte dhe jo mbi perceptime.

Qerimi vlerëson se koha po tregon se shumë procese që dikur dukeshin të mbyllura po rihapen, ndërsa mundësia që Artan Grubi të pastrojë emrin e tij dhe të rikthehet fuqishëm në jetën politike mbetet reale dhe meriton të pritet me qetësi e besim në proceset institucionale.

Në të njëjtën kohë, rikujtojmë se ndaj Artan Grubit po zhvillohet një proces i panevojshëm për një çështje për të cilën ai nuk bart përgjegjësi individuale. Vendimi për të cilin Grubi përmendet është vendim kolektiv i qeverisë, i marrë në kuadër institucional dhe me përgjegjësi të përbashkët, prandaj nuk mund të trajtohet si barrë individuale si dhe në këtë rast nuk është konstatuar asnjë dëm financiar i shkaktuar, çka e bën edhe më të pajustifikueshme përfshirjen e emrit të Grubit në një proces të tillë.