Sheshi i Tetovës sot u mbush me gjallëri, ngjyra dhe buzëqeshje fëmijësh. Për nder të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, nxënësit e çerdheve të qytetit organizuan një manifestim kulturor. I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili theksoi se fëmijët janë e ardhmja e shoqërisë, prandaj krijimi i kushteve më të mira për ta mbetet prioritet.

“Sot këtu në sheshin e Tetovës, këta fëmijë kanë zbukuruar këtë ambient me këtë program që e kanë organizuar. Patjetër që ajo që më së shumti ia vlen – angazhimi publik dhe politik – është për këta fëmijë. Që t’ju krijojmë kushte më të mira në ambientet ku ata kalojnë pjesën më të madhe të ditës, por sigurisht edhe me investimet të cilat bëhen në infrastrukturë, të cilat bëhen në shkolla, të cilat bëhen në ambiente tjera për sport dhe për kulturë, janë ambiente të cilat ne po krijojmë apo investime të cilat po i bëjmë për të ardhmen e këtyre fëmijëve. Prandaj, ne kërkojmë edhe nga të punësuarit në çerdhet e Tetovës që të punojnë me këta fëmijë, të përgatitin këta fëmijë për të ardhmen, për jetën, sepse është investimi më i mirë që mund ta bëjmë”, tha Bilall Kasami

Nga ana tjetër, drejtoresha e çerdhes “Rinia”, Fatlinda Jahja, nënvizoi se puna për mirëqenien e fëmijëve është një proces i vazhdueshëm që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe familjes.

“Qëllimi i manifestimit është për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorin. Me këtë ditë, fëmijët bashkë me grupet edukatore dhe të kujdesit, diskutojnë edhe për të drejtat e tyre, që në të ardhmen ato në bazë kësaj të kenë një synim se si do të rriten, çfarë do të kërkojnë edhe si do ta planifikojnë të ardhmen. Për mirëqenien e fëmijëve asnjëherë nuk është boll. Çdo ditë duhet të punohet, po duhet të punohet jo vetëm në një institucion po në përgjithësi. Ndryshe sepse trekëndëshi pedagogjik është tash ne në çerdhe jemi, po: çerdhja, edukatorja dhe prindi”, tha Fatlinda Jaha

Ky projekt u përkrah nga Akademia “Litera”. Ndryshe, 1 Qershori ka filluar të shënohet zyrtarisht në periudhën e pasluftës, më saktësisht pas vitit 1950, kur u vendos si Ditë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve. Edhe në kuadër të ish-Jugosllavisë, kjo ditë tradicionalisht shënohej me aktivitete të ngjashme nëpër shkolla e kopshte, duke vënë gjithmonë në qendër të drejtat dhe lumturinë e më të vegjëlve.