Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Raporti i revizionit për Institutin e Shëndetit Publik për vitin 2024 ka konstatuar dobësi në funksionimin e institucionit, përfshirë mungesë të plotë të evidencës për pranimin dhe shpenzimin e materialeve mjekësore, si dhe mosregjistrim të pranimit dhe përdorimit të vaksinave në librat zyrtarë. Janë vërejtur gjithashtu dobësi në menaxhimin e inventarit, mungesë procedurash të shkruara dhe mosharmonizim i të dhënave financiare me ato materiale, vlera e të cilave ne fund të vitit 2024 ka qenë 39,3 milionë denarë.
“Është konstatuar se Instituti nuk ka miratuar procedura të shkruara për procesin e pranimit, lëshimit dhe evidentimit të inventarit në magazinat për materiale mjekësore dhe jomjekësore, si dhe për çdo njësi organizative veç e veç.”- thanë nga Enti Shtetëror i Revizionit.
Janë evidentuar edhe parregullsi në menaxhimin administrativ, përfshirë angazhime me kontrata dhe dhënie me qira të hapësirave.
“Gjatë vitit 2024 janë evidentuar parregullsi në angazhimin e personave me kontrata në vepër dhe shërbime konsulente. Megjithëse ishte dhënë pëlqim për angazhimin e një numri të kufizuar personash, Instituti ka lidhur kontrata me një numër më të madh individësh, duke tejkaluar kufizimet e lejuara. Është konstatuar edhe se pagesat për këta të angazhuar janë bërë mbi bazë të evidencës manuale ose pa dokumentacion të plotë për punën e kryer, veçanërisht për shërbimet konsulente.-
Po ashtu disa aktivitete të parashikuara në Programin Vjetor të Shëndetit Publik për vitin 2024 nuk janë realizuar plotësisht. Revizioni ka dhënë rekomandime për përmirësimin e kontrollit, transparencës dhe funksionimit të përgjithshëm të institucionit. Raporti i Revizionit i referohet periudhës kur me Institutin e Shëndetit Publik ka udhëhequr Shaban Memeti, i cili e ka ushtruar funksionin deri më 19 korrik 2024, si dhe të drejtoreshës aktuale Maria Andonovska./Alsat.mk.
The post Raporti i revizionit: Parregullsi në menaxhimin e Institutit të Shëndetit Publik appeared first on Alsat.
