Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi është një qëllim i përbashkët dhe se e ardhmja e vendit është në Union.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e vendit Hristijan Mickoski, Kosta përshëndeti përpjekjet e Qeverisë në zbatimin e reformave, duke vënë në pah përparimin në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Qeveria juaj ka treguar përkushtim, ndërsa përparimi i fundit në agjendën reformuese është i rëndësishëm për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për shfrytëzimin e përfitimeve nga Plani i Rritjes”, deklaroi Kosta.
Megjithatë, ai theksoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet mënyra e vetme për vazhdimin formal të procesit të anëtarësimit.
“Ndryshimet kushtetuese janë e vetmja rrugë për fillimin formal të negociatave të anëtarësimit dhe për zhbllokimin e përfitimeve të plota nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian për qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, tha presidenti i Këshillit Evropian.
Kosta theksoi se BE-ja është investitori më i madh dhe partneri më i rëndësishëm tregtar i vendit, duke paralajmëruar vazhdimin e mbështetjes politike dhe financiare për proceset reformuese.
Ai shtoi se përparimi drejt anëtarësimit mund të arrihet përmes dialogut konstruktiv me fqinjët, ndërtimit të besimit dhe zbatimit të reformave të nevojshme.
Në fund të fjalimit të tij, Kosta njoftoi se do të takohet sërish me kryeministrin Mickoski në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, i cili më 5 qershor do të mbahet në Tivat, Mali i Zi.
