Gazetar: Suad Bajrami
Derisa kryeministri Hristijan Mickoski zvarrit rikonstruimin e paralajmëruar që para shtatë muajsh, koalicioni VLEN nuk tregon se a do ta shfrytëzojë mundësinë që të kërkojë largimin e ministrave të cilat në periudhën e kaluar kanë qenë në shënjestër të kritikave për mosrespektim të gjuhës shqipe. Partia e Izet Mexhitit e Bilall Kasamit nuk ka përgjigje nëse do të insistojë që të largohet Igor Fillkov i cili tanimë disa muaj bën rezistencë dhe shpërfillë VLEN-in lidhur me kërkesën që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe. Përgjigje s’kanë edhe për ministrin e Administratës Publike, Goran Minçev, i cili publikisht shprehej që shqipja në resorin e tij përdoret vetëm me kërkesë.
“Kumtesa do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, ka deklaruar në nëntor të vitit 2024, ministri i Administratës, Goran Minçev.
Minçev u denoncua edhe nga Televizioni Alsat për mosrespektim të shqipes, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 Inspektorati i shqiptoi vërejtje. Por kjo, nuk e ka zmbrapsur ministrin e ZNAM-it. Nëse hapim ueb-faqen e Ministrisë së Administratës, gjithçka bëhet e qartë. Gjatë muajit maj, Ministria ka publikuar 11 komunikata në maqedonisht, 3 në anglisht e vetëm 2 në shqip.
VLEN-i nuk ka përgjigje as edhe nëse do të kërkojnë zëvendësimin e Ivan Stoillkoviqit, i cili aktualisht udhëheqë me resorin që kujdeset për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit e për ironi, një vit më parë e solli liderin e Republikës Serbe Millorad Dodik mes Shkupit. Ardhja e tij bëri bujë të madhe, e aq më shumë fjalimi i tij skandaloz anti vlerave të Bashkimit Evropian e pro Rusisë, ndërsa mohonte krimet dhe gjenocidin e Serbisë në luftërat e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë.
“Historia jonë gjithmonë ka qenë në anën e fituesve, fitoreve të ndershme nëpër histori. Populli serb edhe pse tentojnë t’i ngjisin etiketa nga lufta e fundit civile në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk i ka ndotur duart. Gënjejnë kur flasin për gjenocid ose çfarëdo tjetër”, ka deklaruar Dodik
Pavarësisht këtyre qëndrimeve skandaloze, ekspozuesit e VLEN-it paraprakisht janë deklaruar se me ZNAM-in dhe VMRO-në janë në pushtet, por secili vendos për kuadrot e vet.
“Sigurisht që edhe rikonstruimi do të jetë bazuar në një marrëveshje të re për atë se cilat dikastere do të zëvendësohen dhe si do të vazhdojë më tutje rikonstruimi i Qeverisë. Pra, derisa do të kemi një marrëveshje politike mes këtyre tre subjekteve politike apo koalicioneve, do të vazhdojë e njëjta. Që do të thotë se propozimet e ministrave kush do të rikonstruohet ose kush do të mbetet do t’i bëjnë përsëri subjektet dhe koalicionet të cilat ia kanë propozuar fillimisht ato ministra”, ka deklaruar njëri nga kryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami në intervistën për Alsat, në mars të këtij viti.
Por në fund edhe kjo është çështje e diskutueshme, pasi Mickoski disa herë ka deklaruar që për ministrat vendos ai, ndërsa dëshmi për këtë është Fatmir Limani, i cili edhe pse jashtë VLEN-it, mban postin e ministrit që shkon në konto të VLEN-it. Ndërkohë Arben Fetai dha dorëheqje, pas disa muajsh mosmarrëveshje, megjithatë ende nuk ka një zëvendësim të tij. Që do të thotë se edhe këtë resor, VLEN do ta ketë vetëm me emër, por pa funksion. /Alsat.mk
The post VLEN “i shurdhër” kur pyetet për largimin e Stoilkoviqit, Fillkovit e Minçevit appeared first on Alsat.
