Gazetar: Zekirija Haxhiu
Shumica parlamentare përmes Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive vendosi që Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të trajtohet dhe miratohet me badenter të thjeshtë, respektivisht me shumicë të deputetëve jo maqedonas të cilët do të jenë prezent momentin e votimit. Opozita ishte kundër këtij propozimi dhe e kundërshtoi ashpër. Përplasja, më e madhe ndodhi mes Adnan Azizit nga VLEN dhe Blerim Bexhetit nga BDI.
“Kalojmë në votim kush është pro. Dy propozime keni, badenter absolut dhe badenter të vogël. Të dyja duhet ti hudhni në votim. Nuk mund të selektosh një propozim, ka dy propozim. Për këtë e zhvilluam debatin. Dy propozime keni dhe të dyja duhet ti vendosni në votim! Ajde be mos jep kualifikim ajde udhëhiqe seancën! Blerim nuk je ti për të më treguar mu si e drejtoj seancën. Po ty a ta mer mendja se më tregon mua? Se di unë edhe më ndryshe se ti por dua të jem korrekt. Di edhe unë shumë më ndryshe se ti po ec!”, u tha mes tjerash gjatë përplasjes mes kryetarit të komitetit dhe deputetëve nga opozita.
Nga opozita vlerësojnë se ky ligj prekë drejtpërdrejtë të drejtat e komuniteteve dhe duhet të trajtohet me Badenter të madh, respektivisht me shumicë të numrit të përgjithshëm të deputetëve jo maqedonas, pra 20 nga gjithsej 39 deputetë.
“Parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat është njëri nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit është themeli, bazamenti i Kushtetuës dhe shtetit modern të Maqedonisë së Veriut. Prandaj është e papranueshme nëqoftëse kësaj shumice parlamentare do ti kishte shkuar ndërmend që ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të kalojë me shumicë të thjeshtë dhe pa badinter”, tha Rina Ajdari nga Fronti Evropian.
“Neni 6 i Kushtetutës, ligji për komitetet e garanton qartë dhe nuk duhet të kemi asnjë dilemë se çështja e votimit të ligjit për përfaqësim të drejtë pa mos hyrë më tepër, pa dyshim që duhet të jetë me badenter absolut”, tha Ilire Dauti, deputete e Lidhjes Shqiptare.
“A jeni pyetur ndonjëherë sa anëtarë të kabinetit të kryeministrit janë nga një etni tjetër përveç etnisë maqedonase? A jeni pyetur ndonjëherë sa anëtarë të kabinetit të kryetares së shtetit janë nga një etni tjetër përveç etnisë maqedonase? Sa anëtarë të guvernatorit të Bankës Qendrore janë të një etnie tjetër përveç etnisë maqedonase? A jetojmë ne në Skandinavi apo në Maqedoni”, pyeti Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Për miratimin e Ligjin për Përfaqësim të Drejt dhe Adekuat pushteti është zotuar pothuajse për dy vjet më radhë. Me të synohet zëvendësimi i Balancuesit të shfuqizuar. /Alsat.mk
The post Ligji për përfaqësim të drejtë do të miratohet me badenter të thjeshtë, opozita reagon ashpër appeared first on Alsat.
