Pep Guardiola foli për aktualitetin e futbollit, Barcelonën dhe të ardhmen e tij gjatë inaugurimit të një fushe “Cruyff Court” në Manresa, të promovuar nga fondacioni i legjendës holandeze.
Duke komentuar sezonet e fundit të Barcelonës, u shpreh: “Qoftë me lojtarët e ‘La Masia’ apo me ata që kanë ardhur nga jashtë, Barcelona ka zhvilluar dy vite të jashtëzakonshme, përtej rezultateve. Jam admirues i madh i Hansi Flick. Është shumë tërheqëse ta shohësh këtë skuadër duke luajtur dhe shpresoj të vazhdojë kështu për shumë vite”.
Megjithatë, ai paralajmëroi për rrezikun e obsesionit me Champions League: “Kjo garë shkatërron projekte dhe shpresoj që të mos jetë rasti i Barcelonës. La Liga është ajo që të jep vazhdimësi dhe stabilitet. Në Champions është shumë e rëndësishme të mbërrish në fund të sezonit pa dëmtime, por edhe faktorë të tjerë mund të ndikojnë. E rëndësishme është të vazhdosh të rritesh çdo ditë dhe të mos mendosh se një sezon është i dështuar vetëm sepse nuk arrin ose nuk fiton finalen. Matësi i vërtetë janë kampionatet”.
I pyetur për Bernardo Silva, një nga objektivat e Barcelonës në merkato, Guardiola ishte plot vlerësime: “Bernardo është tepër i mirë. Ai do të përshtatej pa asnjë problem në çdo skuadër”. Sa i përket të ardhmes së tij, ish-trajneri i Manchester City nuk dha detaje: “As unë vetë nuk e di se çfarë do të bëj”.
The post Guardiola paralajmëron Barcelonën: Champions-i shkatërron projekte, shpresoj të mos ndodhë me ty appeared first on Telesport.
