Teksa mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit fryn era e fundit të luftës, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi paralajmëron se pas marrëveshjes kalimi në ngushticën e Hormuzit do të hapet, por nuk do të jetë i lirë si më parë.
“Ngushtica e Hormuzit është pa asnjë dyshim nën sovranitetin e Iranit dhe Omanit. Do të aplikohen tarifa për shërbimet në ngushticë dhe këto shërbime nuk do të jenë më falas”.
Araghchi sqaroi për televizionin shtetëror se Irani është gati të pranojë të varfërojë uraniumin e pasuruar si garanci se nuk do të prodhojë armë bërthamore, por me kusht që kjo të bëhet në territorin e vendit të tij.
“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë se e vetmja mënyrë për të menaxhuar rezervat e materialit të pasuruar është hollimi i tyre në Iran”.
Bisedimet për programin bërthamor iranian pritet të vijojnë në një fazë të dytë. Garancia se Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore është kushti i Shteteve të Bashkuara për fundin e luftës. Aktualisht, rezervat e uraniumit të Iranit janë në nivelin 60%, një hap larg pragut prej 90% përmes të cilit mund të prodhohet armë bërthamore. Që të garantohet mosprodhimi, uraniumi duhet varfëruar deri në nivelin nën 5%.
Sipas zyrtarëve amerikanë, besimi për arritjen e një marrëveshjeje kuadër në ditët e ardhshme është rritur në 80-85%. Media Axios zbuloi se Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Benjamin Netanyahun, duke i thënë prerazi se marrëveshja është e shkëlqyer dhe se është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte. Pavarësisht optimizmit të diplomacisë, në terren janë shënuar sërish disa sulme sporadike mes palëve.
