Në futboll janë parë trajnerë që u japin lojtarëve shënime sekrete, ose që thërrasin ekipin pranë pankinës për udhëzime taktike, por ajo që bëri trajneri i Japonisë, Hajime Moriyasu, në barazimin 2-2 ndaj Holandës ishte diçka e pazakontë. Strategjia e tij u bë “virale” në rrjetet sociale. Ai shfaqte një tabelë të madhe me numra që ndryshonin vazhdimisht, secili prej tyre duke përfaqësuar udhëzime të ndryshme për lojtarët.

Kjo metodë nuk shërben vetëm për të kapërcyer zhurmën e stadiumit, por përbën një lloj “kodi sekret” taktik, të njohur vetëm nga futbollistët japonezë. Numrat janë aq të mëdhenj sa mund të shihen edhe nga ana tjetër e fushës, por kuptimi i tyre mbetet i fshehtë për kundërshtarët. Tabela u përdor gjithashtu në minutat e fundit për të treguar kohën e mbetur shtesë, si numërim mbrapsht drejt një barazimi shumë të rëndësishëm. Kjo tregon se Japonia nuk dëshiron të lërë asgjë në dorë të rastësisë në Botëror.

Moriyasu, 57 vjeç, drejton Japoninë që nga vera e vitit 2018. Ish-mesfushori me 35 paraqitje për kombëtaren ka fituar tre tituj kampioni me Sanfrecce Hiroshima (2012, 2013 dhe 2015), ka udhëhequr Japoninë olimpike në vendin e katërt në “Lojërat e Tokios” 2021 dhe është trajneri i parë japonez që drejton ekipin në dy Botërorë radhazi (2022 dhe 2026), duke kaluar gjithashtu 100 ndeshje në krye të kombëtares.

The post Trajneri i Japonisë nxjerr një tabelë me numra të ndryshëm çdo herë, kod sekret për futbollistët në Botëror appeared first on Telesport.