Në pikën kufitare Bogorodicë, oficerët doganorë kanë sekuestruar stoli ari me vlerë rreth 1.1 milion denarë, pasi zbuluan dy shtetas të Kosovës që po tentonin t’i kontrabandonin në mënyrë të paligjshme.

Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për katër zinxhirë ari me peshë totale prej 190.6 gramësh, të cilët të dyshuarit i kishin blerë në Turqi. Për t’i shmangur kontrollet doganore, ata i kishin vendosur stolitë në trup dhe i kishin mbuluar me rrobat e tyre.

Rasti është proceduar në Departamentin e Hetimeve, i cili ka ngritur kallëzime penale kundër të dyshuarve në Prokurorinë Publike në Gjevgjeli për veprën penale të kontrabandës.

Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se ky është sekuestrimi i 11-të i arit gjatë këtij viti. Deri më tani janë konfiskuar gjithsej rreth dy kilogramë stoli ari. Katër raste janë zbuluar në Bogorodicë, pesë në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ndërsa nga një rast është regjistruar në Tabanoc dhe Bllacë.

Në nëntë raste të veçanta, dhjetë persona janë ndjekur penalisht nga Departamenti i Hetimeve për veprën penale të kontrabandës, e cila sanksionohet sipas Kodit Penal.