Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arjanit Hoxha, ka lëshuar akuza të rënda drejt koalicionit VLEN, duke e cilësuar praninë e tyre në qeveri si një “qasje vazale dhe politikë nënshtruese”. Sipas tij, mungesa e legjitimitetit politik nga shumica e shqiptarëve po çon në zhbërjen graduale të të drejtave të fituara me mund dhe sakrificë gjatë një çerek shekulli.**
Përmes një reagimi publik, Hoxha ka theksuar se Gjykata Kushtetuese po shndërrohet në një promotore të krizës dhe ndasive në vend, por shton se çdo vendim që cenon shqiptarët vjen pas një “aprovimi të heshtur” nga përfaqësuesit e VLEN-it në ekzekutiv.
Hoxha ka rreshtuar një sërë ngjarjesh që sipas tij dëshmojnë këtë degradim të vazhdueshëm politik dhe kombëtar:
* Heqjen e “Balancuesit” (mekanizmit për përfaqësim të drejtë etnik);
* Ndërtimin pa leje të kishës në Kodrën e Diellit;
* Donacionin serb në Tetovë;
* Iniciativën për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe;
* Inkurajimin e zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç për qëndrime kundër të punësuarve shqiptarë në institucionet shtetërore;
* Vendosjen e tabelave vetëm në gjuhën maqedonase, të cilat paradoksalisht u inauguruan nga një ministër shqiptar.
“Këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një politike të vazhdueshme që dita-ditës degradon, nënçmon dhe përbuz arritjet e shqiptarëve,” shprehet nënkryetari i BDI-së.
Paralajmërim për krizë të thellë ndëretnike
Në reagimin e tij, Hoxha tërheq vërejtjen se nëse koalicioni VLEN vendos të mbetet pjesë e kësaj qeverie pavarësisht këtyre zhvillimeve, Maqedonia e Veriut rrezikon të futet në një ngadalësim të dyfishtë. Përveç bllokadës në integrimet evropiane, vendi mund të përballet me krizën më të thellë të raporteve ndëretnike që nga viti 2001.
Në mbyllje, zyrtari i lartë i BDI-së porositi se përgjegjësia politike për këtë situatë të rënduar nuk mund të fshihet dhe as të relativizohet nga askush. /Monitor.mk
