Sulmet ndaj arritjeve shqiptare në Maqedoni, siç është Ligji i Gjuhëve dhe përfaqësimi i drejtë, përdoren vetëm si strategji elektorale për të fituar zgjedhjet, thotë kreu i BDI-së Ali Ahmeti. Sipas tij, kjo sjellje është pjesë e programit të VMRO-DPMNE-së për të marrë pushtetin, por duke aluduar tek VLEN-i, shtoi se rreziku vjen nga ata që e tolerojnë dhe solidarizohen me këtë agjendë dëmtuese.

“Unë nuk i hidhërohem VMRO-së. Sepse ajo e ka program vetvetiu. Ajo do me fitu zgjedhjet, zgjedhjet fitohen me anti-shqiptarizëm, kundër UÇK-së, i fiton zgjedhjet dhe tani hesht. Po më, po pati kush i del zot me i thënë, tani kadal beg se ka handek. Po tanët janë solidarizuar me atë program të VMRO-së: heqjen e Ligjit të Gjuhëve, përfaqësimin e drejtë, po do të ndryshojnë rrugët. Ne nuk duam destabilizim, ne duam paqe. Mirëpo, këta janë të rinj, duhet të dëgjojnë dhe të mësojnë nga e kaluara. Se gur pas guri bëhet kalaja, ama fjalë pas fjale, do një belaja”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti ditë më parë tha se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme në pranverë, e një paralajmërim të tillë sot e dha edhe kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, duke kritikuar kryeministrin Mickoski për politikat që po ndjek.

“Mendoj se kryeministri ka një recetë tashmë të vjetruar për shtetet moderne – receta e Serbisë, ajo e Vuçiqit që shkon në sa më shumë ngritje të rejtingut të vet në bazë të një politike pseudo-nacionaliste për të fituar zgjedhjet. Mendoj se zgjedhje do të kemi shpejt. Sa shpejt është, është pas 6 muajsh apo pas 8 muajsh, dhe pastaj do t’i bëjë të gjitha kompromiset. Mendoj se s’ka kuptim, s’ka kuptim”, u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Përndryshe, kreu i opozitares BDI Ali Ahmeti ditë më parë vlerësoi se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen në pranverë dhe bëri thirrje për mobilizim dhe organizim të plotë të strukturave partiake. I pyetur për të parakohshmet, kryeministri Mickoski ka shprehur qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen të rregullta, në vitin 2028.