Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedura ndaj dy personave në raste të ndara të dhunës në familje dhe ka kërkuar masa kujdesi ndaj tyre, transmeton TV21.

Në rastin e parë, një 56-vjeçar dyshohet se për një kohë të gjatë ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ndërsa vajza 15-vjeçare kishte tentuar t’i japë fund jetës pas kërcënimeve dhe presionit të vazhdueshëm.

Në rastin e dytë, një 33-vjeçar dyshohet se ka lënduar fizikisht bashkëshorten, e ka kërcënuar dhe ka tentuar ta godasë me shishe qelqi, ndërsa prokuroria ka propozuar ndalim afrimi dhe masa të tjera kujdesi për të dy të dyshuarit.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria.

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë kundër një personi për veprën penale – Rrezikim i sigurisë, sipas nenit 144, paragrafi 3 në lidhje me paragrafët 2 dhe 1 të Kodit Penal.

I dyshuari 56-vjeçar, për një periudhë më të gjatë kohore, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve të tyre, të moshës 18 dhe 15 vjeç. Edhe pse ai vazhdimisht ka shfaqur sjellje agresive, familjarët nga frika nuk e kanë denoncuar, deri në momentin kur vajza 15-vjeçare, duke mos mundur t’i përballonte më kërcënimet, fyerjet dhe presionin nga babai, ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.

Procedurë është iniciuar edhe kundër një 33-vjeçari nga Shkupi, i cili gjatë ushtrimit të dhunës në familje i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij. Më 20 qershor, ai e ka tërhequr me forcë dhe e ka kërcënuar gruan brenda një automjeti, ndërsa në një moment ka tentuar ta godasë me një shishe qelqi. E dëmtuara, gjatë lëvizjes së automjetit, ka hapur derën dhe është hedhur jashtë, ndërsa i dyshuari është ndalur dhe ka tentuar ta fusë sërish me forcë në automjet. Ai i ka shkaktuar lëndime trupore, vepër e dënueshme sipas nenit 130, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Në të dy rastet e ndara, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e disa masave të kujdesit, të cilat përfshijnë: ndalimin e të dyshuarve për të lëshuar vendbanimin, detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë, konfiskimin e përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit, ndalimin e afrimit ose vendosjes dhe mbajtjes së kontakteve me të dëmtuarit, si dhe ndalimin e vizitës në vendet ku ata lëvizin.