Pas vërshëllimës përfundimtare që mbylli në barazim 0-0 ndeshjen me Belgjikën dhe përshëndetjeve me kundërshtarët, futbollistët e kombëtares së Republikës Islamike të Iranit nuk u drejtuan menjëherë për në dhomat e zhveshjes. Fillimisht përshëndetën Los Agelos, qytetin që strehon komunitetin më të madh të emigrantëve iranianë jashtë Iranit. Lojtarët qëndruan për disa minuta në qendër të fushës, ndërsa kapiteni Mehdi Taremi u foli bashkëlojtarëve të mbledhur rreth tij. Ai kishte ndërruar fanellën e bardhë me fanellën e kuqe me numrin 20 të Hans Vanaken.

Futbollistët iranianë lanë edhe një mesazh prekës në dhomën e zhveshjes: “Nga Persia e lashtë e mijëra viteve më parë tek Irani i qytetëruar i sotëm, shpirti i Iranit mbetet i gjallë dhe i palëkundur”. Bashkë me mesazhin ishin edhe dy hashtagët #168 dhe #Minab, që i referohen bombardimit amerikan ndaj një shkolle për vajza në qytetin iranian me të njëjtin emër, ditën e parë të luftës, ku humbën jetën të paktën 175 persona, mes tyre 168 vajza.

“Erdhëm në Los Angelos me krenari, garuam me nder dhe largohemi me dinjitet. Faleminderit Los Angelos për mikpritjen! Faleminderit çdo iraniani që i dha zemrën, zërin dhe shpirtin Iranit gjatë këtyre 180 minutave! Urojmë që paqja, respekti dhe miqësia të mbizotërojnë mes të gjitha kombeve”, – përfundonte mesazhi.

Trajneri Amir Ghalenoei vlerësoi arritjen e skuadrës: “Për ne, duke pasur parasysh vështirësitë që kaluam për të mbërritur deri këtu, ky është një rezultat historik. Është një ditë që do të kujtohet edhe në të ardhmen. Luajmë me zemër. Sot festojmë, ndërsa nesër nisim përgatitjet për ndeshjen me Egjiptin”.

The post Irani la mesazhin e koduar në dhomën e zhveshjes, pas barazimit me Belgjikën, me dy hashtagë #168 dhe #Minab appeared first on Telesport.