Brenda javës pritet të zhvillohet takimi i dytë i partnerëve të koalicioneve për rikonstruimin e qeverisë. Kryeministri Mickoski tha se takimi i parë ishte konstruktiv, por pa dhënë detaje për ndryshimet e mundshme. Vetëm tha se ekzistojnë opsione për ndryshime që do të kuptohen deri në fundjavë.

“Në bisedimet e para mund të them se mbizotëroi një ambient konstuktiv. Gjatë kësaj jave sërish do të kemi takime, e pres që ato të jenë përfundimtare, gjatë fundjavës të formalizohet e gjitha, me emra e me specifikat e tjera. Po, ekziston opsioni edhe për ndryshim resorësh; edhe për këtë është folur”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Takimet e radhës mes partnerëve qeveritarë VMRO-së, VLEN dhe ZNAM pritet të përcaktojnë emrat e ministrave dhe funksionarëve që do të zëvendësohen. Burime partiake brifojnë se ndryshimet do të prekin kuadrot e të tri partnerëve qeverisës. Por, nga VLEN, tani më dihet se në fokus janë pozitat e Zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai, i cili ka dhënë dorëheqje, si dhe ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, i cili tani më nuk është VLEN.

“Realisht, bashkëkryetarët z. Mexhiti dhe z. Kasami kanë pasur një takim me kryeministrin e vendit, takim i parë. Besoj ditëve në vijim do të ketë edhe takime të tjera ku do të kenë informacione shtesë. Edhe nga partia VLEN edhe nga partnerët e koalicionit të qeverisë ka data-baza të mirëfillta për çdonjërin funksionarë, i cili ka ushtruar veprimtari apo ka udhëhequr ndonjë institucion me të dhëna të sakta dhe të njëjtat do të diskutohen brenda koalicionit. Nuk është asgjë çudi nëse ndërrohen edhe dikasteret ose ndonjë nga funksionarët e ndryshëm në pozitat që kanë”, u shpreh Muhamet Elmazi – VLEN.

Rikonstruimi i qeverisë po bëhet në 2 vjetorin e qeverisë me në krye Mickoskin. Opozitarja LSDM ka kritikuar duke thënë se rikonstruimi është vetëm një paketim i ri i produkteve të njëjta me afat të skaduar.