Gazetar: Suad Bajrami
Politika është në gjah të fajtorit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizuan emrat e ndryshuara në vitin 2007 në Tetovë, por sa është respektuar procedura për ndryshimin e këtyre emrave, do të shpjegojmë në vazhdim me fakte.
Nëpërmjet këtij infografiku, shihet se cila është procedura legale në Maqedoninë e Veriut për të ndryshuar një emër rruge, sheshi, ure e të tjera.
Është fakt se procesi fillon në komunë, e cila propozon ndryshim të një ose më shumë emrave, por gjithashtu është fakt se komuna nuk mund të vendos kokë më vete.
Për këtë, si hap të dytë në proces, komuna detyrohet të kërkojë pajtimin e Qeverisë e cila duhet të vendos në seancë qeveritare. Nëse e shohim në rastin konkret të Tetovës, komuna e udhëhequr asokohe nga Hazbi Lika nuk ka dorëzuar kërkesë për pajtueshmëri në Qeveri, por direkt ka kaluar në hapin e tretë, ku Këshilli i Komunës i udhëhequr nga Resi Abdurahmani i ka ndryshuar emrat.
Problemi është thelluar në hapin e radhës. Pasi Komuna është dashur t’i regjistrojë rrugët në regjistrin kryesor të emrave që e udhëheqë Regjistri Qendror. Por meqë ka munguar dokumenti që e dëshmon pajtueshmërinë e Qeverisë, Regjistri nuk i ka regjistruar emrat e rinj, por ka vazhduar evidencën me emrat e vjetër.
Se si do të duhej të dukej ai dokument, po e ofrojmë një shembull ku në dhjetor të vitit 2021, Qeveria ka dhënë pajtueshmëri për ndryshimin e disa emrave të rrugëve në Dibër.
Megjithatë, një pajtueshmëri të këtillë autoritetet lokale të Tetovës nuk e kanë pasur dhe për këtë, Regjistri nuk i ka shpërndarë emrat e rinj në Ministrinë e Brendshme, Kadastër dhe Entin e Statistikave. Praktikisht Komuna e Tetovës i ka ndryshuar emrat vetëm në regjistrin e komunës, por jo edhe tek ai qendror, i cili ndërlidhet me institucionet shtetërore. Dhe pikërisht për këtë, qytetarët nëpër dokumentet e tyre ende i kanë emrat e vjetër, pasi ato emra i njeh dhe jo ato që i ka ndryshuar komuna.
Dhe kjo gjendje ka mbetur pezull për 19 vite, komuna e quajtur sheshin “Iliria”, shteti “Marshall Tito”, ashtu sikur edhe 10 rrugë të tjera.
Megjithatë për këtë fakt mëson një organizatë lokale dhe dorëzon një nismë në Kushtetuese në shkurt të vitit 2025, kur tanimë në krye të Komunës është Bilall Kasami. Denoncimi bëhet publike dhe mediatik, e aq më shumë bëri jehonë që pas një muajsh Gjykata hapi procedurë, që praktikisht paralajmëronte anulimin apo abrogimin e emrave, të cilët edhe ashtu kurrë shteti s’i kishte njohur.
Pas alarmit të ngritur, Komuna e Tetovës ka pasur kohë plot 14 muaj që të ndërmarrë masa, respektivisht nëpërmjet një marrëveshjes politike të sjellë vendim të ri, me pajtim të Qeverisë, por nuk e ka bërë. (FOTO: Kushtetuese) Nëse do të kishte sjellë vendim, atëherë sipas Aktit, Gjykata Kushtetuese do të obligohej që ta ndërpriste procedurën.
Ndonëse Kasami deklarohet që ka marrëveshje për rikthimin e këtyre emrave, Mickoski paraprakisht është deklaruar se megjithatë marrëveshje ka vetëm për rrugët që s’kanë emra apo për ato që janë të identifikuara me numra./Alsat.mk.
The post Rrugët e Tetovës që i shfuqizoi Gjykata Kushtetuese kurrë s’i ka njohur shteti, vetëm komuna appeared first on Alsat.
