Nënkryetari i BDI-së, Bajram Rexhepi, ka kërkuar nga Komuna e Tetovës që brenda 2-3 ditëve të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal dhe të nisë procedurën për miratimin e vendimit për emërtimin e rrugëve në qytet informon Tetovasot .

Përmes një reagimi publik, Rexhepi theksoi se këshilltarët e BDI-së janë të gatshëm ta mbështesin një vendim të tillë, duke dhënë, sipas tij, përkrahje të plotë për zgjidhjen e çështjes së emrave të rrugëve.

“Komuna e Tetovës ka 2–3 ditë kohë të thërrasë seancë të jashtëzakonshme dhe të nisë procedurën për miratimin e vendimit për emërtimin e rrugëve. Për këtë e kanë përkrahjen e plotë të këshilltarëve tanë”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka paralajmëruar se çdo refuzim apo mosveprim nga ana e Komunës do të konsiderohet si bashkëpërgjegjësi në, siç e cilëson ai, “vendimin anti-shqiptar të Gjykatës Kushtetuese”, për të cilin vlerëson se cenon identitetin dhe dinjitetin e Tetovës.

Çështja e emërtimit të rrugëve në Tetovë ka rikthyer debatet politike në vend, pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me emrat e rrugëve në qytet. Reagimet e partive politike dhe përfaqësuesve institucionalë kanë qenë të shumta, ndërsa pritet të shihet nëse Komuna do të ndërmarrë hapa konkretë në ditët në vijim. /Tetovasot/