Këtë vit, shpërndarja e teksteve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë filloi më herët. Sipas Ministres së arsimit Vesna Janevska, tashmë janë shpërndarë rreth 250 mijë tekste për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa në ditët në vijim do të vazhdojë shpërndarja për klasat e tjera të arsimit fillor dhe të mesëm. Ajo tha se sistemi i furnizimit me tekste është stabilizuar dhe se problemet e së kaluarës me mungesën e librave nuk do të përsëriten. Sipas saj, gjatë shtypjes së teksteve janë kursyer rreth 45 milionë denarë, ndërsa po punohet edhe në zhvillimin e teksteve elektronike dhe digjitale. Tekstet e reja për klasën e nëntë dhe vitin e tretë të gjimnazit pritet të përgatiten vitin e ardhshëm, në kuadër të reformave arsimore.
“Ajo që duhet të theksojmë është se nga viti i kaluar janë përgatitur tekstet e reja për nxënësit nga klasa e parë deri në të tetën, si dhe për vitin e parë dhe të dytë të gjimnazit. Vitin e ardhshëm do të përgatiten tekstet për klasën e nëntë dhe për vitin e tretë të gjimnazit, sepse çdo vit plotësojmë gradualisht programet e reja mësimore dhe tekstet e reja. E rëndësishme është të vendosim një zgjidhje sistemore. Në të ardhmen nuk do të kemi më asnjë problem me tekstet shkollore. Përkundrazi, do të avancojmë më tej. Aktualisht kemi edhe tekste në format PDF, ndërsa me kalimin e kohës po i plotësojmë edhe me tekste digjitale”, tha Vesna Janevska.
