Rruga drejt plazheve greke edhe këtë fundjavë për shumë qytetarë nisi me pritje, e jo me pushime. Në pikën kufitare Bogorodicë drejt Greqisë sërish janë krijuar kolona të gjata automjetesh, ndërsa disa udhëtarë raportuan se pritjet për kalimin e kufirit kanë zgjatur deri në katër orë.

Rritja e numrit të turistëve, fillimi i sezonit veror dhe qarkullimi i shtuar i automjeteve nga Maqedonia dhe vendet e rajonit kanë krijuar ngarkesë të madhe në pikën kufitare Bogorodicë–Evzoni, ku që nga orët e hershme të mëngjesit është regjistruar trafik i dendur. Sipas dëshmive të udhëtarëve, kolonat e automjeteve janë shtrirë për kilometra të tërë, ndërsa lëvizja ka qenë e ngadaltë dhe me ndalesa të herëpashershme.