Nismat aktuale për integrimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian ishin fokusi kryesor i ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në panelin e diskutimit të mbajtur në Dubrovnik, me ftesë të homologut kroat Gordan Grliq Radman. Temë ishte “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, zgjidhja e përbashkët e çështjeve të papërfunduara”
Mucunksi vlerësoi se këto nisma mund të jenë një mjet i rëndësishëm nëse përfaqësojnë një urë drejt anëtarësimit të plotë.
“Nëse ky model i ri i integrimit gradual, i cili shpresoj të zbatohet, është një urë drejt anëtarësimit të plotë, dhe ky është mesazhi që e kemi marrë nga të gjithë, atëherë do të jetë një model jashtëzakonisht i dobishëm. Ajo që duhet të kemi kujdes është që ai të mos bëhet një mjet që do të krijojë një dhomë të përhershme pritjeje pa derë drejt anëtarësimit të plotë”, tha Timço Mucunski
Mucunski foli edhe për marrëdhëniet me Bullgarinë, duke vlerësuar se me qeverinë e re bullgare ekziston mundësi për bisedime për çështjet e hapura. Për ndryshimet kushtetuese tha se ato nuk janë kërkesa e vetme e Bullgarisë dhe se, nëse ato realizohen, do të pasojnë edhe kërkesa të tjera.
Sipas tij, qëllimi i Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm nisja e negociatave dhe më pas të gjendet në të njëjtën pozitë si tani, por përfundimi i tyre në bazë të kritereve të Kopenhagës.
“26 vende anëtare dhe institucionet e BE-së na thonë – keni dy kritere themelore. Së pari, ndryshimet kushtetuese dhe së dyti, i ashtuquajturi hapja e pikave referuese. Një vend anëtar thotë se, përveç kësaj, konsensusi evropian përfshin gjithashtu një sërë marrëveshjesh të tjera që ekzistojnë dukshëm mes dy vendeve, përfshirë këtu rishikimin e historisë sonë kombëtare dhe fusha si ndërhyrja në çështjet e brendshme mediatike të vendit, si dhe çështje të tjera”, deklaroi Timço Mucunski
Mucunski, në fjalimin e tij, u bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetje edhe më aktive ndaj integrimit evropian të rajonit dhe theksoi se nevojitet një përpjekje e përbashkët për shfrytëzimin e mundësisë aktuale historike.
