Sergio Agüero ka shprehur një qëndrim të qartë dhe mjaft të prerë në debatin se kush duhet të jetë sulmuesi titullar i Argjentinës. Sipas ish-sulmuesit të kombëtares argjentinase, nuk ka asnjë dyshim se kush duhet të luajë vazhdimisht në qendër të sulmit.
Agüero deklaroi: “Do ta aktivizoja Lautaro Martínez në çdo ndeshje, edhe nëse nuk shënon gola”. Një deklaratë që tregon besimin e plotë që ka te sulmuesi i Interit, të cilin e konsideron thelbësor për t’i dhënë kombëtares strukturë dhe prani në zonën kundërshtare.
Ish-lojtari i Manchester City foli edhe për aspektin taktik, duke theksuar se skuadra e Lionel Scalonit ka nevojë për një “9” të mirëfilltë: “Mendoj se Argjentina ka nevojë për një numër 9. Julián Álvarez nuk është një numër 9 i zonës”.
Sipas Agüero, sulmuesi i Atlético Madridit nuk është një qendërsulmues klasik, por lojtar më i gjithanshëm. Duke folur për rolin ideal të Álvarez në repartin ofensiv, ai shtoi: “Julián mund të luajë më shumë në krah, si sulmues i dytë dhe gjithashtu përkrah Leos”.
Sipas Agüeros, kjo zgjidhje do të nxirrte më në pah lëvizshmërinë e Álvarez dhe aftësinë e tij për të bashkëpunuar me Lionel Messin, pa ia ndryshuar karakteristikat e lojës.
The post “Lautaro është më shumë numër 9 se Álvarez. Do ta aktivizoja gjithmonë, edhe kur nuk shënon” appeared first on Telesport.
