Arrestohet profesoresha e Universitetit „Goce Delçev“ në Shtip, dyshohet se mori ryshfet nga një student
Profesoresha Tamara A. nga Universiteti „Goce Delçev“ në Shtip është privuar nga liria nën dyshimin se ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet nga një student për t’i mundësuar atij kalimin e provimit, njoftoi portali “Libertas”.
Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), 39-vjeçarja nga Shtipi me iniciale T.A., më datë 22 të këtij muaji, i ka kërkuar një studenti 300 euro me qëllim që ai të kalonte provimin që duhej ta jepte dje.
Sipas njoftimit zyrtar të MPB-së, dje në orën 11:45 në Shtip, zyrtarë policorë nga Sektori për Punë të Brendshme në Shtip e kanë arrestuar T.A., për shkak të ekzistencës së dëshmive dhe dyshimeve se ka kryer veprën penale „marrje e ryshfetit“. paraprakisht, më datë 22 qershor 2026, shtetasi turk K.B., i moshës 26-vjeçare me qëndrim të përkohshëm në Shtip dhe student në Universitetin „Goce Delçev“, ka denoncuar se profesoresha T.A. i ka kërkuar 300 euro për të kaluar një provim që ishte caktuar ta jepte më 29 qershor 2026.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme shtojnë se janë ndërmarrë masat e nevojshme në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shtip, me çka studentit K.B. i janë dorëzuar tri kartëmonedha prej 100 eurosh, të cilat paraprakisht ishin përpunuar në mënyrë krim-teknike.
