Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar se funksioni i zëvendëskryeministrit të ngarkuar për qeverisje të mirë do të shfuqizohet, ndërsa kompetencat e këtij resori do të kalojnë drejtpërdrejt nën kabinetin e kryeministrit.

Në një intervistë për televizionin Telma, në prag të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se koncepti i qeverisjes së mirë mbetet i rëndësishëm, por vlerëson se do të jetë më efikas nëse menaxhohet nga kabineti i tij.

Në kabinetin tim ka një sekretar përgjegjës për monitorimin e zbatimit të programit qeveritar dhe politikave të Qeverisë, ndaj mendoj se ai mund të jetë përgjegjës edhe për çështjet që lidhen me qeverisjen e mirë. Në këtë mënyrë, Qeveria do të ketë një anëtar më pak në nivel të zëvendëskryeministrave, gjë që është një mesazh për një organizim më racional”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e së martës në mbrëmje do t’i informojë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv edhe për bisedimet lidhur me zgjerimin e koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike Turke (TDP), e cila aktualisht është pjesë e koalicionit “Fronti Evropian” dhe ka një deputet në Kuvend.

“Pres që bisedimet të përfundojnë me sukses. Po negociojmë për një bashkëpunim që do të zgjasë deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2029. Në këtë mënyrë do të formohet kabineti i ri qeveritar”,

shtoi Mickoski.

Ai konfirmoi se me rindërtimin e Qeverisë, VMRO-DPMNE do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Koalicioni VLEN do të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Drejtësisë dhe resorin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, ndërsa Lëvizja ZNAM do të marrë Ministrinë e Bujqësisë, si dhe një post shtesë të zëvendësministrit.

I pyetur nëse mund të zbulojë emrat e ministrave të rinj, Mickoski u përgjigj se emrat tashmë janë përcaktuar, por do të bëhen publikë vetëm pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.

“Do të ishte jokorrekte t’i bëja publike fillimisht. Së pari do t’u prezantohen anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, e më pas edhe opinionit publik”, deklaroi Hristijan Mickoski kryeministri.

The post Shfuqizohet pozita e Zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, kompetencat kalojnë te zyra e Kryeministrit appeared first on Alsat.