Në kazermën “Ilinden” në Shkup u zhvillua vizita e Komandantit Suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, gjeneralit Aleksus Grinkeviç, i cili u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Llafçiski, dhe u njoh me kapacitetet, pajisjet dhe gatishmërinë e njësive të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Grinkeviç vlerësoi kontributin e vendit në NATO, përfshirë pjesëmarrjen në planifikimet rajonale, forcat e dislokuara tokësore dhe misionin KFOR, duke theksuar se këto janë rezultat i modernizimit dhe përkushtimit të Armatës.

Ai u shpreh se aleanca kërkon përgatitje të vazhdueshme dhe përshtatje me sfidat e luftës moderne, duke porositur trajnime intensive dhe analizë të konflikteve aktuale dhe të kaluara. Nga ana tjetër, gjeneral Llafçiski theksoi se kjo vizitë është dëshmi e besimit të NATO-s ndaj vendit dhe konfirmim i rolit aktiv në sigurinë kolektive.

Ai nënvizoi se Armatës i është vlerësuar lartë gatishmëria përmes ushtrimeve dhe vlerësimeve të NATO-s, përfshirë “Flash 26” dhe njësitë për operacione speciale. Gjatë vizitës, Grinkevich ndoqi stërvitje taktike dhe u informua për pajisjet dhe aftësitë operacionale të Armatës, duke e cilësuar Maqedoninë e Veriut si aleat të rëndësishëm dhe kontribuues në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.