Një djalë 3-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat gjashtë ditë pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën, njoftoi ekipi jordanez i shpëtimit.
Fëmija, i identifikuar si Klieber Moran, u shpëtua nga rrënojat në qytetin La Guaira, ndërsa presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, e cilësoi shpëtimin si një rreze shprese për vendin.
Sipas Mbrojtjes Civile të Jordanisë, 3-vjeçarit iu dha menjëherë ndihma e parë, më pas u transportua në spital në Karakas, ku po merr trajtim. Autoritetet thanë se gjendja e tij është stabile dhe shenjat jetësore janë të mira.
Bilanci i viktimave nga dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5, që goditën vendin javën e kaluar, ka kaluar 1,900 të vdekur. Mbi 10 mijë persona janë lënduar, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Sipas një vlerësimi paraprak të bazuar në të dhënat satelitore të NASA-s, lëkundjet kanë dëmtuar ose shkatërruar rreth 58,870 ndërtesa.
Ndërkohë, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se dhjetëra mijëra banorë kanë nevojë urgjente për ushqim, strehim dhe ndihmë humanitare.
