Nga Liridona Beqiri
Në politikën e koalicionit të brishtë qeveritar ekziston një formë stabiliteti i kamufluar që nuk prodhohet nga balanca e forcave, por nga përshtatja. Në politikë ka teposhtëza, ka edhe disfata, por ekziston edhe një kategori e veçantë kur humbet gjithçka që ka peshë dhe e njëjta shitet si fitore historike.
Rikonstruimi i fundit i Qeverisë nuk është vetëm ndryshim teknik resorësh, por një rishpërndarje e qartë e gravitetit institucional në disfavor të pozitës shqiptare, ndërsa e njëjta po mundohet ta paraqesë atë si sukses negociator. Qeveria buzëqesh me qetësi teknokratike, ndërsa partnerët e saj e interpretojnë ripozicionimin si ‘besim të rritur strategjik’.
VLEN nuk u zgjerua në Qeveri. U tkurr. Dhe po duartroket vetveten ndërsa i zvogëlohet pesha politike. Kryeministri nuk po e rikonstruon vetëm Qeverinë, por po rikonstrukton edhe bindjen e nënshtrimit konstant, duke e forcuar atë kundrejt partnerëve shqiptarë.
Në këtë rikonstruim nuk po ndryshojnë vetëm emrat e ministrave. Po ndryshon arkitektura e pushtetit, po ridizajnohet hierarkia politike e qeverisjes, po rikonfigurohen raportet e pushtetit. Dhe fituesi i vetëm në këtë proces është vetë Hristijan Mickoski dhe strategjia e tij e “butë”. Ai po e centralizon pushtetin dhe po e bën këtë me pëlqimin e atyre që deri dje premtonin se do të ishin garancia e barazisë politike të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, kryeministri operon me një avantazh strukturor: një koalicion ku mungesa e kushteve të forta politike nga partnerët e tij e redukton nevojën për kompromis real. Me një partner shqiptar “modest sa për gjunah”, jokushtëzues dhe të varur nga pushteti, Mickoski duket se ka luksin politik të veprojë pa kosto të brendshme. Ky është modeli ideal i dominimit politik: përfaqësim pa veto, prani pa presion dhe koalicion pa kushte.
Në këmbimet institucionale, shqiptarët pranuan resorë që nuk kanë peshë të njëjtë strukturore në arkitekturën e vendimmarrjes. Në pazarin politik qëndron Ministria e Drejtësisë, e cila pas mbylljes së një prej çështjeve më të bujshme që dominoi debatin publik mbi gjuhën shqipe – çështjen e provimit të jurisprudencës – sot ngjan me syze dielli pas perëndimit të diellit.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë vazhdon të paraqitet si trofe, por një ministri nga e cila janë shkëputur kompetencat më strategjike është thjesht një bankë pa kapital.
Po aq domethënëse është edhe humbja e Ministrisë së Politikës Sociale: ministria që numëron hallexhinjtë e vendit, ku maten varfëria, papunësia, përjashtimi social dhe përgjegjësia e shtetit ndaj atyre që kanë më pak. Është pika ku politika prek realitetin pa filtër.
Në një kohë kur vendi ka nevojë për udhëheqje vizionare, përfaqësuesit shqiptarë, të zhveshur nga çdo forcë reale veprimi, janë shndërruar në një gjysmëhije politike që nuk arrijnë të artikulojë asnjë qëndrim dinjitar për interesat që pretendojnë të përfaqësojnë.
Politika e kryeministrit ua shet ndërkombëtarëve idenë e një qeverie gjithëpërfshirëse, multietnike dhe stabile. Dhe, në letër kjo është e vërtetë: ka ministra shqiptarë, ka përfaqësim, ka koalicion. Por në praktikë, kjo përbërje nuk prodhon pluralizëm vendimmarrës, por një komoditet qeverisës që i shërben vetëm njërës palë.
Kjo klasë politike ose nuk ka kapacitet t’i lexojë skenarët e nëndheshëm nacionalistë, ose jeton brenda një pasqyre ku vetja i shfaqet si iluzion force, ndërsa në realitet pasqyron vetëm një doktrinë pushteti, që u shkruan “veresitë” politike.
Ndërkohë, i ngulfatur nga shumë halle financiare shtetërore, Kryeministri duket se e shijon një lloj teatri politik ku partnerët shqiptarë vazhdojnë të marrin “shuplaka” dhe në vend të reagimit, e përsosin formulën e vetërreshtimit për të pritur rrahjen e radhës.
Doktrinia mickoskiane e politikbërjes u ka injektuar shqiptarëve të koalicionit një cikël të dyfishtë: depresion politik dhe ankth institucional, të ndjekura nga doza periodike iluzionesh që shiten si sukses. Kjo psikosferë e kontrolluar krijon ndjesinë e një stabiliteti, ndërkohë që në thelb normalizon nënshtrimin politik si model qeverisjeje.
Kështu ndodh kur fitoren e marrin ata që s’kanë tagër ta mbajnë: rrezikojnë ta zhbëjnë vetë atë, ndërkohë që bashkë me të zhbëhet edhe korpusi etno-politik i shqiptarëve. Në politikën e këtij modeli, humbja nuk ndodh vetëm në kuti votimi. Ajo ndodh në tryezën e negociatave.
Si përfundim, Mickoski nuk fitoi vetëm negociatat. Ai fitoi edhe të drejtën që humbjen e partnerit ta paketojë si sukses të vetë partnerit. Kjo është forma më e rafinuar e dominimit politik: nuk ke më nevojë ta asgjësosh partnerin koalicionues, mjafton që ai ta shpallë vetë humbjen e tij si fitore. Dhe VLEN-i “modest sa për gjunah” sot është në ekstazën e vetpërjashtimit.
Kjo është mononarrativa që shqiptarëve në (nën) qeverisje u është imponuar si “religjion politik për qeverisje”.
