Qeveria dhe opozita me qëndrime diametralisht të ndryshme sa i përket suksesit të Agjendës Reformuese dhe mjeteve nga Plani për Rritje.
“Bashkë me Shqipërinë dhe Malin e Zi, Maqedonia është njohur si lidere në rajon sipas rezultateve të arritura. Vlerësimi i Komisionit Evropian është dëshmi e qartë se shteti po ecën në drejtimin e duhur dhe se reformat janë të njohura nga institucioni i vetëm që vlerëson cilësinë dhe progresin e tyre. Për më tepër, Komisioni Evropian propozon rialokim të mjeteve nga Plani për Rritje, ku pjesa më e madhe e mbështetjes financiare duhet të orientohet drejt vendeve që tregojnë rezultatet më të mira”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas tyre, kjo është një njohje për punën e bërë, por edhe një mundësi për të siguruar mjete shtesë për zhvillim, prandaj për VMRO-DPMNE është e pakuptueshme pse LSDM vazhdon me bllokada politike të ligjeve që dalin nga Agjenda Reformuese, duke i bërë thirrje që të lënë interesat ditore politike dhe të tregojnë përgjegjësi shtetërore.
Nga ana tjetër, opozitarja LSDM vlerëson se Qeveria e ka futur shtetin në një krizë serioze ekonomike dhe politike, ndërsa sipas tyre, të gjithë treguesit tregojnë se po përgatiten zgjedhje të parakohshme. Sipas LSDM-së, ekonomia është në rënie të lirë, inflacioni i ka “gëlltitur” pagat, çmimet e produkteve bazë rriten vazhdimisht, paga minimale nuk është rritur, ndërsa njëkohësisht borxhi publik është rritur për mbi 2.5 miliardë euro për dy vjet, ndërsa sipas opozitës buxheti është bosh.
“Agjenda Reformuese është në ngecje. Ndërsa Mali i Zi mori një paketë prej 3.2 miliardë eurosh, Maqedonia rrezikon të humbasë një pjesë të konsiderueshme të fondeve evropiane për shkak të mosrealizimit të hapave reformues. Paratë e BE-së nuk do të vijnë nëse nuk zbatohen reformat, dhe kjo Qeveri dukshëm nuk është e aftë t’i zbatojë ato”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
