Zlatan Ibrahimovic ka komentuar ndeshjen e tensionuar mes Francë dhe Paraguait në 1/16 e finales së Kupës së Botës 2026, duke vlerësuar qetësinë dhe pjekurinë e skuadrës franceze pas një përballjeje me shumë duele dhe nervozizëm në fushë.
Duke folur për Fox Sports, Ibrahimovic pranoi se atmosfera e ndeshjes ishte e tillë që do ta kishte vështirë të kontrollonte veten nëse do të ishte pjesë e saj.
“Nëse do të kisha luajtur sonte, do të kisha marrë 4 ose 5 kartonë të kuq. Nuk më pëlqen kur njerëzit përpiqen të më provokojnë, unë e luaj futbollin me seriozitet të plotë”, u shpreh ai.
Megjithatë, ish-sulmuesi suedez vlerësoi lart reagimin e ekipit të drejtuar nga Didier Deschamps, duke theksuar se Franca arriti të ruajë qetësinë pavarësisht presionit dhe dueleve të forta.
“Por Franca tregoi maturi, qëndroi e qetë dhe reagoi me buzëqeshje. Dhe kjo është mënyra më e mirë për t’u përgjigjur, të buzëqeshësh dhe të mos biesh në lojën e tyre”, përfundoi Ibrahimovic.
