Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, po marrin pjesë në Samitin dyditor të NATO-s, i cili nisi sot në Ankara, ku janë mbledhur liderët e 32 vendeve anëtare të Aleancës, përcjell TV21. Siljanovska-Davkova udhëheq delegacionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, ku bëjnë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, si dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneralmajori Sashko Lafçiski. Presidentja do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive, ndërsa në margjinat e samitit pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale.

Ndërkohë, Misajllovski do të marrë pjesë në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes të NATO-s, në pritjen zyrtare të ministrave të mbrojtjes të organizuar nga ministri turk i Mbrojtjes, si dhe në ceremoninë për zgjerimin e programit NATO Flight Training Europe (NFTE). Ai do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh me homologët e vendeve aleate dhe do të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut me partnerët nga rajoni Indo-Paqësor.

Samiti i Ankarasë është i përqendruar në rritjen e investimeve për mbrojtjen, forcimin e kapaciteteve të NATO-s për parandalim dhe mbrojtje, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Liderët do të diskutojnë edhe sfidat e sigurisë në rajonin euroatlantik, ndërsa në fund të samitit pritet të miratojnë deklaratën përfundimtare me prioritetet strategjike të Aleancës.