Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, së bashku me kryetarin e Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, sot kryen inspektim të punimeve ndërtimore për rregullimin e kanalit kullues në Hasanbeg.

Ministria ka investuar 21 milionë denarë në këtë projekt, ndërsa punimet në terren tashmë janë në fazë të avancuar, me betonimin e shtratit të kanalit, me qëllim mbrojtjen afatgjatë nga përmbytjet.

Ky kanal është pjesë kyçe e sistemit hidromeliorativ të kullimit “Fusha e Shkupit” dhe shërben për pranimin dhe largimin e ujërave atmosferike.

“Sot, bashkë me kryetarin e komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, inspektuam rregullimin e kanalit në Hasanbeg. Aktivitetet ndërtimore vazhdojnë me çka sigurojmë mbrojtje afatgjatë nga përmbytjet dhe siguri për qytetarët. MMJPH-ja investon 21 milionë denarë në këtë projekt, ndërsa në realizim të sipër janë edhe projekte të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës komunale në këtë komunë. Vazhdojmë me vepra konkrete të vendosim themelet për një kthesë të gjelbër”, theksoi Hoxha.