Gazetare: Melihate Rustemi

Nga pushimet në Zanzibar përfundoi për trajtim në Klinikën për Sëmundje Infektive. Këtë e përjetoi një shtetas i Maqedonisë, i moshës rreth të 40-ave i cili pas kthimit në vend është diagnostikuar me malarie dhe po shërohet në këtë klinikë. Sipas drejtorit, Fadil Cana gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe po trajtohet me terapi antimalarike. Ai u bëri apel qytetarëve që planifikojnë pushime në vendet tropikale dhe subtropikale të marrin masat e nevojshme parandaluese.

“Pacienti ka qenë së bashku me bashkëshorten por të bashkëshortja nuk ka asnjë simptomë që të mundet edhe ajo ti nënshtrohet doagnostifikimit apo trajtimit kundër malarjes. Në rast se kur kthehen pas pushimit të ato paraqiten simptoma të temperaturës, molisjes, kok dhimbjes, ato duhet menjëherë të paraqiten te mjeku amë që të bëhet diferencimi, vallë është i lidhur me ndonjë sëmundje ekzotike apo  është ndonjë infeksion tjetër banal që është në kuadër të stinës verore”, tha Fadil Cana, drejtor i Klinikës për sëmundje infektive.

Aktualisht në Klinikën për Sëmundje Infektive po trajtohen edhe dy pacientë me Ethet e Nilit Perëndimor, diagnoza e të cilëve është konfirmuar me analiza laboratorike. Të dy janë në gjendje stabile dhe nuk kanë shfaqur simptoma neurologjike. Sa i përket situatës epidemiologjike gjatë verës, Cana tha se për momentin nuk ka shifra alarmante, por pritet rritje e rasteve me helmime ushqimore dhe infeksione gastrointestinale, si pasojë e temperaturave të larta.

“Duhet pasur kujdes në temperatura të larta se çfarë konsumojmë, duhet ushqime më të lehta, ushqime posaçërisht që janë të qumështit dhe të  cilat janë të ekspozuara gjatë kohë në temperatura të larta, duhet të kemi kujdes me to pasi që nga ato mund të ndodhin infeksione të ndryshme gastrointestinale të cilat normal që kërkojnë edhe shërim adekuat”, sqaroi Fadil Cana, drejtor i Klinikës për sëmundje infektive.

Pavarësisht mungesës së kuadrit mjekësor dhe stafit të mesëm shëndetësor, Cana tha se të gjithë pacientët që do të kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën për Sëmundje Infektive do të marrin shërbimet e nevojshme. /Alsat.mk

The post Nga Zanzibar në Klinikën Infektive, pacienti diagnostikohet me malarie appeared first on Alsat.