Masat e Qeverisë me “shportën konsumatorë të vjeshtës” ka dhënë efekt, thotë ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, sipas të cilit çmimet e produkteve janë ulur 5 deri në 10 për qind. Rikujtoi se masa skadon në fund të këtij muaji dhe nëse do të ketë rritje drastike të çmimeve, paralajmëroi se do të merren masa më rigoroze.
“Kjo masë ka dhënë efekt. Për produkte të caktuara çmimet janë ulur nga 5% deri në 10%. Ka prodhime të caktuara ku çmimet janë ulur shumë pak ose aspak, si p.sh., buka, qumështi, etj. Kishte edhe… vaji për gatim, por kishte edhe prodhime ku çmimet u ulën për 10%, siç është mishi, zarzavatet, perimet, prodhimet e qumështit, kaçkavalli, djathi, etj. Atë e tha edhe sindikatat, sipas tyre shporta sindikale në tetor, çmimet për ushqim dhe pije janë ulur për 935 denarë, mos ta gaboj numrin. Ata e publikuan këtë lajm, kështu që vendimet e qeverive japin rezultate dhe kjo ndjehet në xhepin e qytetarit”, tha ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Nga ana tjetër kryetari i Lidhjes së Sindikatave Sllobodan Trëndafilov, deklaron se jetesa po bëhet më e shtrenjtë për shkak se, siç thotë, është e vështirë të mbijetohet me 370 euro, kur shporta minimale sindikale tashmë është mbi 1000 euro. Sipas tij, tregtarët përfitojnë në kurriz të qytetarëve.
“Për fat të keq, tregtarët e shfrytëzuan periudhën kur Qeveria shpalli një masë të tillë dhe çfarë bënë – fillimisht i rritën çmimet dhe shporta minimale e sindikatës në pjesën e rritjes së shpenzimeve u rrit për 750 denarë për muajin shtator. Për muajin tetor është ulur për 960 denarë, që do të thotë se tregtarët kanë qenë të pangopur dhe kanë tentuar të bëjnë para në kurrizin e punëtorëve”, tha Sllobodan Trëndafilov, kryetar i LSM-së.
Ndryshe Vlera e shportës minimale sindikale për muajin tetor 2024 është 61.249 denarë, informojnë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Me banesë me qira prej 60 m2 për muajin tetor, shporta arrin 76.624 denarë. Krahasuar me vlerën e shportës minimale sindikale për shtatorin e vitit 2024, e cila ishte 61.306 denarë është ulur për 57,00 denarë.
