Gazetar: Avni Tahiri
Edhe pas 31 vitesh, nga gjenocidi i Srebrenicës, në Qendrën Memoriale në Potoçari, dhjetë viktima të tjera do të përcillen për në banesën e fundit, pas ceremonisë mortore, duke u bërë pjesë e kujtesës së gjenocidit që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore.
Mbetjet e dhjetë viktimave janë nxjerrë nga varrezat masive në Bratunac, Zvornik, Vlasenicë dhe Srebrenicë. Për disa familje, pritja e gjatë dhe e dhimbshme për gjetjen e kufomave të familjarëve të tyre më në fund merr fund por për shumë të tjerë, ankthi vazhdon. Familjet ende presin të gjenden pjesët e mbetura të trupave të të dashurve të tyre, për t’u dhënë atyre një varr të plotë dhe një lamtumirë të denjë.
Në këtë ditë përkujtimi, mijëra qytetarë nga Bosnja dhe Hercegovina, vendet e rajonit dhe diaspora janë mbledhur për të nderuar viktimat dhe për të mos lejuar që e vërteta të harrohet.
“Mendoj se sot nuk ka nevojë të flitet. Heshtja flet më fort se çdo fjalë. Por në të gjitha ditët e tjera duhet të flasim, të kujtojmë dhe të promovojmë paqen dhe drejtësinë. Duhet t’ua lëmë brezave të rinj të vijnë këtu dhe të dinë se çfarë ka ndodhur. Dhe të gjithë ne duhet të mësojmë nga kjo”.tha; Dijana Softiq, vizitore nga Srebreniku, Bosnjë dhe Hercegovinë.
Më 8 korrik, mbi 6.000 pjesëmarrës nisën “Marshin e Paqes”, një rrugëtim treditor prej rreth 100 kilometrash, duke ndjekur gjurmët e atyre që në korrikun e vitit 1995 vrapuan mes pyjeve me shpresën për të mbijetuar. Për shumë prej tyre, ajo rrugë nuk çoi drejt lirisë, por drejt vdekjes.
“Shumë anëtarë të familjes sime janë varrosur këtu. Edhe sikur të mos ishte kështu, përsëri do të vija për të nderuar të tjerët, sepse kjo nuk duhet të harrohet. Ne do të vazhdojmë të vijmë këtu çdo vit, për të kujtuar atë që na ka ndodhur.”tha Fatima Berkoviq, vizitore nga Nova Kasaba, Bosnjë dhe Hercegovinë
Edhe sot, pas më shumë se tri dekadash, kërkimi për të zhdukurit vazhdon. Rreth 900 persona rezultojnë ende të pagjetur. Më 11 korrik përkujtohet gjenocidi i Srebrenicës, i kryer në vitin 1995, kur mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat e Ushtrisë serbe, ndërsa mijëra civilë u dëbuan. Këto krime janë cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare. Çdo vit, kjo datë shënohet me ceremoni përkujtimore në Potoçari, ndërsa që nga viti 2024, 11 korriku është shpallur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Më shumë se 100 mijë njerëz u vranë dhe miliona të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre, përpara se në vitin 1995 të arrihej një marrëveshje paqeje e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. /Alsat.mk
The post Srebrenica, 31 vjet pas gjenocidit: Dhjetë viktima përcillen sot në Potoçari appeared first on Alsat.
