Kuvendi sot në mbledhjen e 112-të, me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski në kuadër të rikonstruktimit të Qeverisë i shkarkoi ministrat e Drejtësisë Igor Filkov, të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Cvetan Tripunovski, për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive Igor Stoilkoviq, të Shëndetësisë, Azir Aliu, të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, të Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski, si dhe Shaban Saliun nga funksioni i ministrit pa resor.

Janë shkarkuar edhe zëvendësministrat e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Gjoko Velkovski dhe Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani.

“Nga dita e parë, kur e morëm përgjegjësinë, kam thënë se kjo Qeveri nuk do të jetë Qeveri e rehatisë, por e rezultateve. Nuk do të jetë Qeveri në të cilën funksionet do të konsiderohen si e drejtë e fituar, por si obligim që çdo ditë sërish duhet të meritohet. Ky nuk ishte një slogan politik, por ishte parim, Sot, tregojmë se ai parim vlen njejtë për të gjithë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke e arsyetuar propozimin për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë.

Funksioni, theksoi ai, nuk ishte dhe asnjëherë nuk do të jetë kurrë një qëllim në vetvete, është një mjet përmes të cilit u shërbehet njerëzve”, tha ai.

Sot, theksoi kryeministri, nuk po u themi lamtumirë njerëzve që nuk punuan, por përkundrazi, me njerëz që në resorë të ndryshëm e dhanë kontributin e tyre për realizimin e programit për të cilin qytetarët dhanë besim.

Siaps tij, rikonstruktimi i Qeverisë nuk duhet të shihet si fund i punës së dikujt.

Duke i falënderuar anëtarët e Qeverisë, të cilët, siç tha, në periudhën e fundit, me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim i kanë kryer funksionet, thekson “me falënderim të sinqertë për punën e tyre e hapim fazën tjetër, jo sepse e mohojmë punën e tyre, por sepse duan që në bazë të asaj që është bërë të ndërtojmë edhe më shumë”.

Gjatë debatit opozita vlerësoi se rikonstruktimi është politik, ndërsa jo kadrovik dhe ishte një parathënie për zgjedhje të parakohshme.

Deputeti Borisllav Kërmov nga e Majta, duke folur pas pikës së parë të seancës plenare kushtuar shkarkimit të ministrave, pyeti pse ndërrohet ministri i Bujqësisë, nëse ka punuar mirë.

Sipas tij, Ministria e Bujqësisë trajtohet si një prej gështenjave të nxehta që kalohet mes partnerëve të koalicionit, edhe pse ky duhet të jetë një prej sektorëve kryesorë në shtet sepse e trajton prodhimin e ushqimit.

Nga rikonstruktimi, tha Kërmov, më së shumti do të humbë partia politike ZNAM e cila po e humbë sektorin e drejtësisë, ndërsa VLEN-i do të dalë më i fortë sepse marrin një resor plus. Me dhënien e sektorit të drejtësisë VLEN-it, sipas Kërmovit, hapet mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, e me atë në afat më të gjatë jurispridenca do të bëhet dygjuhësore.

Deputetja Bisera Kostadinovska-Stojçevska nga LSDM foli për punën e minsitrit të deritanishëm të Kulturës, Zoran Ljutkov për të cilin tha se do të mbahet mend si ministri me numër më të madh padish për rroga të papaguara dhe mosrespektim të marrëveshjeve kolektive. Për mandatin e tij dyvjeçar tha se nuk ka asnjë projekt kapital.

Deputetja Velika Stojkova – Serafimovska nga VMRO-DPMNE në replikën e fjalimit të Kostadinovska-Stojçevskës tha se për dy vite janë zgjidhur shumë probleme të cilat i ka lënë LSDM-ja.

Në vendin e Fillkovit ministër i Drejtësisë duhet të zgjedhet Jeton Shasivari (VLEN). Stoillkoviqi (koalicioni VMRO-DPMNE) do ta marrë funksionin ministror në Vetëqeverisjen Lokale, Zlaltko Perinski funksionin e drejtorit në Fondin për sigurim shëndetësor, kur në krye është Sasho Klekovski (VMRO-DPMNE), i cili ndërkaq do të jetë ministër i ri i Shëndetësisë në vendin e Azir Aliut. Ministër për marrëdhënie mes bashkësive është propozuar Agon Ferati (VLEN). Në vendin e Cvetan Tripunovskit do të vijë Borçe Serafimovski (ZNAM), ndërsa në vendin e Shaban Saliut, ministër pa resor, është propozuar Erxhan Demir (VMRO-DPMNE).
Në rrjedhë është debati për zgjedhje të anëtarëve të rinj të Qeverisë.