Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu u zotua se javën e ardhshme do ta bëj të ditur ditën dhe orën e saktë për mbajtjen e seancës konstituive, në mënyrë që të jenë të pranishëm të gjithë 120 deputetët. Ajo, bëri me dije se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thërrasë këtë seancë, ashtu siç e parasheh afati prej 30 ditësh.
“..e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”. – Albulena Haxhiu, U.D.se Presidentes së Kosovës.
Haxhiu tha se zgjedhjet eventuale nuk do të ishin të mira as për qytetarët e Republikës së Kosovës e as për subjektet politike apo individë përbrenda subjekteve politike. Andaj tha se mbështet bisedimet e iniciuara nga partia fituese e zgjedhjeve.
“E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar që të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pasë takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje”
Lidhja Demokratike e Kosovës pezulloi negociatat me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve pas iniciativës për shkarkimin e kryetarit të saj, Lumir Abdixhikut. Nga Vetëvendosja thanë se janë të gatshëm për takime të tjera për të arritur marrëveshje dhe se shpresojnë që pas këtyre zhvillimeve të mos “barrikadohet” opozita e të shmangen zgjedhjet e tjera. – Albulena Haxhiu, U.D.se Presidentes së Kosovës. /Alsat.mk
The post Presidenti ende pa u zgjedhur, Haxhiu: Shpresoj të mos shkojmë në zgjedhje të reja appeared first on Alsat.
