Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm në qytet, duke u bërë thirrje qytetarëve të informohen vetëm nga burimet zyrtare dhe të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente.
Limani bëri të ditur se, sipas analizave të rregullta të kryera nga NP “Komunalec”, mostrat e deritanishme kanë treguar se parametrat e ujit kanë qenë brenda kufijve të lejuar me ligj. Megjithatë, pas pranimit të denoncimit, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet përkatëse kanë kryer kontrolle shtesë dhe kanë marrë mostra të reja për analiza laboratorike.
Ai theksoi se, deri në publikimin e rezultateve zyrtare, me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit të ujësjellësit për pije dhe përgatitjen e ushqimit.
“Kjo është një masë parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe duhet të respektohet plotësisht”, u shpreh Limani.
Lidhur me pretendimet për përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, kryetari i Gostivarit sqaroi se, sipas informacioneve të NP “Komunalec”, në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet i kanalizimit. Megjithatë, ai nënvizoi se të gjitha pretendimet do të verifikohen dhe se vetëm institucionet kompetente do të japin vlerësimin përfundimtar.
Limani shtoi se aktualisht nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike që shqetësimet e raportuara shëndetësore të jenë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit, duke theksuar se shkaku do të përcaktohet vetëm mbi bazën e analizave profesionale.
Sipas tij, Komuna e Gostivarit është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht në procedurën hetimore. Ai premtoi se rezultatet zyrtare do të publikohen menjëherë sapo të jenë në dispozicion, në mënyrë të plotë dhe transparente.
Në fund, kryetari i komunës u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, të respektojnë ndalimin e përkohshëm për përdorimin e ujit dhe të mos përhapin informacione të paverifikuara.
“Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë më i lartë dhe çdo vendim do të merret ekskluzivisht në përputhje me gjetjet zyrtare të ekspertëve”, theksoi Valbon Limani.
