Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme me cak infrastrukturën dhe objektivat ushtarake të shtunën, ndërsa beteja e tyre mbi Ngushticën e Hormuzit u intensifikua.

Rajoni është përballur me ditë të tëra sulmesh të ndërsjella në një konflikt që përqendrohet gjithnjë e më shumë në kontrollin e Ngushticës. Prishja e një armëpushimi të përkohshëm nuk lë një fund të qartë në horizont për luftën që SHBA-ja dhe Izraeli filluan më shumë se katër muaj më parë.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi të shtunën në mëngjes se në natën e shtatë radhazi të sulmeve kishte goditur “vende mbikëqyrjeje, infrastrukturë logjistike ushtarake, magazina armësh nëntokësore dhe aftësi detare”.

Kuvajti të shtunën deklaroi se ka penguar raketa dhe dronë iranianë mbi qiellin e tij, ndërsa Iraku njoftoi se kishte rrëzuar dronë mbi qytetin e Irbilit. Agjencia shtetërore e lajmeve Petra e Jordanisë raportoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin rrëzuar raketa iraniane, ndërsa sirenat ajrore u dëgjuan në Bahrejn sipas qeverisë atje.

Sulmet ajrore amerikane të kryera të premten shembën një kullë në portin Chabahar të Iranit në Gjirin e Omanit, një rrugë kyç tregtare për Afganistanin fqinj, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA dhe e konfirmoi më vonë ushtria amerikane.

Të premten, Katari paralajmëroi njerëzit të strehoheshin, ndërsa një breshëri raketash iraniane shënjestroi vendin. Njerëzit dëgjuan shpërthime, ndërsa mbrojtja ajrore u aktivizua për të penguar raketat.

Zyrtarët iranianë thonë se sulmet e fundit amerikane kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe kanë plagosur qindra, me viktima të reja të raportuara të premten.

Para se të fillonte lufta, SHBA-ja kishte qenë në bisedime me Iranin mbi programin e tij bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump tani përballet me presion politik për ta mbyllur luftën dhe për ta shmangur konfliktin e zgjatur në Lindjen e Mesme, kundër të cilit kishte bërë fushatë