“Është një privilegj të jesh në finale. Për mua gjëja më e rëndësishme është të jemi në gjendje për ta fituar atë. Do ta pranoja me kënaqësi të arrija çdo vit në finale dhe ta humbisja atë. Do ta shijojmë këtë moment, me armët dhe cilësitë tona, kundër një kundërshtari që ka pasur një rrugëtim spektakolar. Do të ketë një spektakël të madh, me dy skuadra fantastike, shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, dhe secila do të përpiqet ta çojë ndeshjen aty ku i përshtatet më shumë”.

Kështu u shpreh në orët e natës, sipas kohës europiane, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, për finalen kundër Argjentinës, duke theksuar se Lamine Yamal “është mirë” dhe se ndodhet “në një formë fizike perfekte”.

Trajneri spanjoll kujtoi edhe një episod që daton më shumë se 20 vite më parë: “Unë drejtoja ekipet e të rinjve të Sevilla dhe më thanë të bëja kujdes me një Messi. Vendosa një lojtar për ta markuar, por në barazimin 0-0, në minutën e 70-të, ai u ndëshkua me karton të verdhë dhe e zëvendësova atë lojtar, duke ndryshuar edhe strategjinë. Messi na shënoi 4 gola në 15 minuta.

Ky fakt nuk do të thotë se do ta markojmë një kundër një, por do të duhet të tregojmë një vëmendje të veçantë ndaj tij. Edhe sot ai është shembull për sportistët e rinj, për mënyrën e tij të sjelljes dhe qëndrimit, në këtë Kupë Bote spektakolare që po zhvillon në këtë moshë”.

De la Fuente zbuloi gjithashtu se kishte kërkuar këshilla për finalen nga Vicente del Bosque, trajneri që shpalli Spanjën kampione bote në vitin 2010. “Është një i urtë i futbollit, e ka përjetuar këtë situatë dhe askush nuk është më i përshtatshëm për të më dhënë këshilla”, – tha ai.

Trajneri spanjoll foli edhe për Lionel Scaloni, një nga ish-lojtarët e tij dhe “një mik”: “Mendoj se kemi shumë pika të përbashkëta, sidomos sepse Scaloni dhe unë ndajmë të njëjtat koncepte, vlera dhe parime që udhëheqin të dyja skuadrat”.

The post De la Fuente: Hera e parë kundër Messit ishte më shumë se 20 vite më parë, na shënoi 4 gola në 15 minuta appeared first on Telesport.