Në pritje që FIFA të konfirmojë ose të përgënjeshtrojë deklaratën e presidentit të CONMEBOL-it, Alejandro Domínguez, mund të imagjinohet se si do të dukej Kupa e Botës 2030 me 64 skuadra, pra pothuajse një e treta e 211 federatave anëtare të FIFA-s. Një format i tillë do ta bënte kualifikimin më pak ekskluziv dhe do t’i zbehte disi vlerën.
Organizimi – Propozimi u paraqit në mars 2025 gjatë një mbledhjeje të Këshillit të FIFA-s nga një drejtues uruguajan dhe më pas u mbështet nga vetë Domínguez. Një nga objektivat është që pothuajse të gjitha, 10 kombëtaret e Amerikës së Jugut, të marrin pjesë në Botëror.
Turneu i vitit 2030 do të zhvillohet në 6 vende: Spanjë, Portugali, Marok, Uruguaji, Argjentinë dhe Paraguaji. Fillimisht ishte parashikuar që në Montevideo, Buenos Aires dhe Asunción të zhvillohej nga një ndeshje për të shënuar 100-vjetorin e Kupës së parë të Botës, por me zgjerimin në 64 skuadra, ideja është që në Amerikën e Jugut të luhen grupe të plota.
Kohëzgjatja dhe ndeshjet – Botërori do të zhvillohej nga 8 qershori deri më 21 korrik 2030, gjithsej 44 ditë, krahasuar me 39 ditët e Botërorit 2026. Numri i ndeshjeve do të rritej nga 104 në 128, ndërsa çdo skuadër finaliste do të vazhdonte të luante 8 ndeshje. Formati do të ndryshonte nga 12 grupe në 16 grupe me nga 4 skuadra. Dy ekipet e para të secilit grup (32 gjithsej) do të kualifikoheshin në fazën me eliminim direkt, duke nisur nga 1/16-at e finales.
Megjithatë, 24 ndeshjet shtesë brenda vetëm 4 ditëve më shumë do ta bënin shumë të vështirë garantimin e pushimit të nevojshëm për ekipet. Gjithashtu ekziston rreziku i mbingarkesës për publikun televiziv, pasi edhe në Botërorin 2026 shpesh luheshin 4 ndeshje në ditë.
Ndikimi te kampionatet – Një Botëror që zgjat pothuajse 7 javë do të krijonte vështirësi serioze për kalendarin e futbollit. Futbollistët që arrijnë deri në fund të turneut kanë të drejtë për të paktën 21 ditë pushim, duke e bërë të ndërlikuar nisjen e kampionateve kombëtare. Problemet do të shtohen edhe më shumë, pasi Botërori 2034 në Arabinë Saudite pritet të zhvillohet në dimër, si ai i Katarit.
Ndarja e vendeve – Nëse ruhet raporti i Botërorit me 48 skuadra, vendet do të ndaheshin afërsisht kështu:
Evropa: 20 skuadra
Afrika: 13
Azia: 12
Amerika e Jugut: 9 (nga 10 kombëtare)
Amerika e Veriut: 8
Oqeania: 2
Mund të ketë edhe “play-off” ndërkontinental për ta balancuar shpërndarjen. Nëse do të ndiqeshin përqindjet e formatit me 32 skuadra, Europa do të kishte 26 vende, një skenar që konsiderohet pak realist.
Stadiumet, kostot dhe kundërshtimet – Botërori 2026 u zhvillua në 16 stadiume, ndërsa një turne me 64 skuadra do të kërkonte më shumë impiante dhe të paktën 16 qendra stërvitore shtesë.
Edhe kostot do të rriteshin ndjeshëm. Nëse Botërori 2026 kushtoi rreth 3.7 miliardë dollarë, zgjerimi me 33% më shumë skuadra do të sillte rreth 20% më shumë shpenzime, ndërsa nuk është e sigurt që të ardhurat do të rriteshin në të njëjtën masë.
Propozimi ka hasur kundërshtime, veçanërisht nga UEFA. Presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, paralajmëroi se kjo ide “mund të dëmtojë të gjithë ekosistemin e futbollit”. Shumë druhen se zgjerimi do të ulë ndjeshëm nivelin teknik të turneut. Në fund, vendimi pritet të jetë më shumë politik sesa sportiv.
The post Si do të ishte Kupa e Botës me 64 skuadra? Kush do të kualifikohej? Ja skenari i mundshëm appeared first on Telesport.
