Manchester City vazhdon të ndërtojë skuadrën e së ardhmes. “Qytetarët” janë shumë pranë zyrtarizimit të rinovimit të kontratës së Jeremy Doku deri në verën e vitit 2031, një lëvizje që konfirmon besimin e plotë të klubit te talenti belg.
Përveç zgjatjes së kontratës me 5 vite të tjera, 23-vjeçari do të përfitojë edhe një rritje të konsiderueshme page si shpërblim për kontributin e tij dhe zhvillimin e vazhdueshëm në “Etihad”. Doku iu bashkua Manchester City në verën e vitit 2023 nga Rennes dhe është shndërruar në “armë” të rëndësishme falë shpejtësisë, driblimeve dhe aftësisë për të krijuar epërsi në krahët e sulmit.
Nuk është vetëm Doku në planet afatgjata të klubit. Edhe Joško Gvardiol pritet të rinovojë së shpejti kontratën me Manchester City, duke përfituar gjithashtu një rritje page. Mbrojtësi kroat, i transferuar nga RB Leipzig në vitin 2023, është kthyer në një nga shtyllat e mbrojtjes së skuadrës falë paraqitjeve të tij të qëndrueshme dhe shumëplanëshe.
Me këto lëvizje, Manchester City synon të ruajë bërthamën e lojtarëve të rinj dhe cilësorë, duke siguruar vazhdimësinë e projektit sportiv edhe për vitet në vijim.
The post Manchester City blindon të ardhmen. Doku rinovon deri më 2031, gati edhe Gvardiol appeared first on Telesport.
